Von Cramon: Prishtina dhe Beogradi të pranojnë draftin franko-gjerman
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i delegacionit për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Besnik Bislimi, deklaroi së fundi se propozimi franko-gjerman për çështjen e Kosovës është shumë më afër qëndrimit të Serbisë nga perspektiva e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, që zhvillohet në Bruksel.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, mendon megjithatë se drafti i shumëdiskutuar, përbën në fakt një kompromis të pranueshëm për dyja palët. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, shprehet zyrtarja e lartë, zgjidhja është afër asaj çfarë Kosova do të donte të shihte, pavarësisht se përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Kjo varet nga të dyja qeveritë, mendoj se ka të paktën një kompromis të mire. Me sa di unë, ai i pranueshëm, ka një hapësirë të mjaftueshme kohore dhe uroj që të dyja qeveritë të bien dakord dhe ta pranojnë këtë”, tha Von Cramon. Këshilla e Von Cramon, është që Prishtina dhe Beogradi ta pranojnë propozimin. Sa për liberalizimin e vizave, raportuesja rrëfeu se edhe për atë vetë është shumë e paqartë ideja e hedhur nga Franca për ta përfshirë Kosovën në sistemin ETIAS, ndërsa kërkoi nga Këshilli i BE-së që në mbledhjen e radhës në muajin nëntor t`i japë dritën jeshile liberalizimit të vizave, të cilin siç tha, Kosova e meriton plotësisht.