Vuçiç urdhëron ushtrinë serbe të jetë në gjendje gatishmërie
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i134254-vuçiç_urdhëron_ushtrinë_serbe_të_jetë_në_gjendje_gatishmërie
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Nëntor 01, 2022 16:19 Europe/Tirane
  • Vuçiç urdhëron ushtrinë serbe të jetë në gjendje gatishmërie

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë.

Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksander Vuçiç. Lajmi vjen pasi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e para të së martës se Policia e Kosovës, nga 1 nëntori, nis me zbatimin e planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, që i lëshojnë autoritetet serbe. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri të Kosovës, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Vuçiç, si komandant i përgjithshëm, ka urdhëruar ushtrinë serbe që ta ngrejë nivelin e gatishmërisë luftarake në atë pikë që të mund t’i përgjigjet çdo detyre. “Serbia është një vend serioz. Ajo merr përgjegjësi për të gjitha problemet e mundshme”, tha ministri i Mbrojtjes i Serbisë Vuçeviq. Çështja e targave është bërë shkas i tensioneve në veri, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada. Për të qetësuar situatën dhe me sugjerimin e komunitetit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimit deri më 1 nëntor. SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar sërish shtyrje, edhe për dhjetë muaj të tjerë, dhe janë shprehur “të zhgënjyera” me mosveprimin e Qeverisë sipas kërkesave të tyre.