Kosova dhe Serbia hedhin një hap të rëndësishëm drejt paqes
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i135420-kosova_dhe_serbia_hedhin_një_hap_të_rëndësishëm_drejt_paqes
Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm drejt paqes, marrëveshjen e arritur mbrëmë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Nëntor 24, 2022 16:16 Europe/Tirane
  • Kosova dhe Serbia hedhin një hap të rëndësishëm drejt paqes

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm drejt paqes, marrëveshjen e arritur mbrëmë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave.

Tajani në një postim në Twitter, ka thënë se gjatë vizitës që ai pati të martën në Prishtinë e Beograd, u kërkoj palëve që të zbusin tensionet. “Gjatë vizitës time të martën në Beograd dhe Prishtinë së bashku me Gudio Crosetto, dëgjuam qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. U kërkova atyre që të zbusin tensionet. Arritja e marrëveshjes dje në nivel të BE-së, është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, ka shkuar Tajani. Marrëveshja për targa e arritur mbrëmë po mirëpritet nga njohësit e dialogut Kosovë-Serbi, megjithatë kërkojnë që të dinamizohet procesi i dialogut për arritjen e marrëveshjes finale. Zëdhënësi i Bashkimit Evropain, Peter Stano ka thënë se marrëveshja e arritur mbrëmë (e mërkurë) në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave nuk është fundi i procesit të dialogut. Ai ka thënë se synimi është që të arrihet së më shpejt marrëveshja e normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “BE-ja është duke e lehtësuar dialogun që të ndihmojë të dyja palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, për normalizim të marrëdhënieve. Është me rëndësi të respektohen marrëveshjet e arritura, është mesazh që BE-ja vazhdimisht u ka dërguar të dyja palëve. Sa i përket hapave të ardhshëm, pas marrëveshjes që është bërë mbrëmë, është me rëndësi të vazhdohet. Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ka thënë se do të ftojë dy liderët në Bruksel, të punojnë e të vazhdojnë punën për normalizim të marrëdhënieve. Sigurisht që puna vazhdon”, ka thënë Stano. Ai ka shtuar se shpreson që marrëveshja e mbrëmshme do ta largojë krizën aktuale. “Nuk është fundi i procesit, marrëveshja e arritur është vetëm fillim i punës me të cilën shpresojmë ta largojmë këtë gjendje të marrjes së vazhdueshme me krizë e të kalojmë në një fazë tjetër, të merremi me çështje më të qëndrueshme”, tha Stano në konferencë për media. Ai shtoi se emisari Miroslav Lajçak po punon shumë, ditë e natë, për të përparuar drejt një marrëveshje. Pala kosovare dhe ajo serbe dje në Bruksel arritën marrëveshje për targa. Kryenegociatorët e dy shteteve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pas disa orë negociata në Bruksel arritën ujdinë, në ditën e fundit të afatit shtesë për marrëveshjen mbi targat, para se Kosova të fillonte dënimin e shoferëve me targa ilegale në veri. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot në Kuvend se me dakordimin për targa nuk është cenuar kurrfarë substance e shtetit të Kosovës.