Kurti paralajmëron shtim të pranisë policore në Veri
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i136110-kurti_paralajmëron_shtim_të_pranisë_policore_në_veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me intensifikimin e sulmeve në veri, që sipas tij po kryhen nga “banda kriminale” të cilat “paguhen dhe dirigjohen nga Serbia”, do të ketë edhe shtim të pranisë policore në këtë pjesë të shtetit.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Dhjetor 07, 2022 09:00 Europe/Tirane
  • Kurti paralajmëron shtim të pranisë policore në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me intensifikimin e sulmeve në veri, që sipas tij po kryhen nga “banda kriminale” të cilat “paguhen dhe dirigjohen nga Serbia”, do të ketë edhe shtim të pranisë policore në këtë pjesë të shtetit.

Policia e Kosovës konfirmoi se më 6 dhjetor ka pasur disa incidente në kohën kur zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, të banuara me shumicë serbe. “Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë”, shkroi Kurti në Facebook. Zyrtarët komunalë zgjedhorë, nën shoqërinë e policisë, kishin tentuar sot të shkonin në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, por sipas autoriteteve, atyre iu pamundësua që të kryenin detyrat zyrtare. Policia tha se zyrat e KQZ-së në veri janë dëmtuar me mjete të rrezikshme, përfshirë edhe “granata dore të prodhimit jugosllav”.