Barrikadat në veri mbesin, mbyllen edhe shkollat
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i136370-barrikadat_në_veri_mbesin_mbyllen_edhe_shkollat
Pjesa veriore e Kosovës edhe të hënën vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa raportohet se edhe shkollat fillore dhe ato të mesme janë mbyllur.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 12, 2022 09:37 Europe/Tirane
  • Barrikadat në veri mbesin, mbyllen edhe shkollat

Pjesa veriore e Kosovës edhe të hënën vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa raportohet se edhe shkollat fillore dhe ato të mesme janë mbyllur.

Tensionimi erdhi pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimin se ka organizuar sulmin me shok-bomba dhe armë zjarri ndaj zyrave të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në këtë rajon.

Drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq i ka thënë REL-it, se shkollat fillore dhe të mesme në komunat në veri të Kosovës nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Situata në veriun e Kosovës ka qenë e tensionuar gjatë gjithë muajve të fundit, ndërsa nga 6 dhjetori janë shënuar disa incidente të armatosura, ku edhe është plagosur një polic i Kosovës. E po ashtu së fundmi janë kthehu edhe barrikadat, për të cilat ka folur edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq. Ky i fundit thotë se barrikadat hiqen kur të lirohen serbët nga burgu, derisa një ditë më parë kërkoi edhe kthimin e 1 mijë trupave serbë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi heqjen e barrikadave, ndërsa tha se Serbia po kërcënon me luftë dhe kthim të trupave ushtarake në Kosovë,  pas 23 viteve luftë. “Beogradi zyrtar sot po flet e sillet sikurse para 23 vitesh e duke u drejtuar nga një kastë e njëjtë politikanësh, si Vuçiq, ish ministri i propagandës së Millosheviqit dhe Daçiq, ish zëdhënësi i Millosheviqit”, tha Kurti në konferencë për media.

Ai u shpreh se Serbia po kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi dhe e pranoi kapitullimin në Kumanovë në qershor 1999. “Veprimet e Serbisë përbëjnë kërcënime të vazhdueshme. Paqja në Kosovë erdhi pas luftës sonë dhe ndihmës së aleancës, pas një regjimi gjenocidial”.

Për situatën e në veri të Kosovë dhe bllokimin e rrugëve, ka reaguar edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili u ka bërë thirrje palëve për tejkalimin e situatës së tensionuar.

RTKlive