Osmani: Nënshkrimi i aplikimit për BE, ditë historike për Kosovën
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i136480-osmani_nënshkrimi_i_aplikimit_për_be_ditë_historike_për_kosovën
Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar ditë historike nënshkrimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo ka thënë se ky akt është një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 14, 2022 08:31 Europe/Tirane
  • Osmani: Nënshkrimi i aplikimit për BE, ditë historike për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar ditë historike nënshkrimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo ka thënë se ky akt është një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.

“Sot është një ditë historike, ky është një moment historik. 14 dhjetori nga sot ka një rëndësi të dyfishtë në historinë moderne të Kosovës sonë, në historinë e Republikës sonë. Në njërën anë po aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në anën tjetër po shënojmë përvjetorin e ushtrisë sonë, të dyja këto akte që shkojnë në drejtim të realizimit të vizionit tonë euroatlantik”, ka theksuar presidentja Osmani.

Ajo tutje ka thënë se sot, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti, në emër të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj po e marrin një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës kolektive e ambicies së patjetërsueshme.

“Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuuar kështu që edhe BE-ja të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë të lirë e në paqe. Për Kosovën e  qytetarët e saj nuk ka pasur asnjëherë alternativë tjetër. Por ëndrrat bëhen realitet vetëm kur veprohet dhe ambiciet bëhen të prekshme vetëm kur punohet”, kaq shtuar Osmani.

E para e shtetit ka thënë se ky akt i dedikohet ‘gjithë qytetarëve tanë, evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovuesve të vlerave evropiane, në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë’.

“Por mbi të gjitha ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri   të Kosovës që sakrifikuan jetën, duke mbrojtur idealet për liri pavarësi e demokraci, derisa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid. Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është  ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, promovues dhe garantues i të drejtave demokratike, vend i pluralizmit politik dhe i mediave të lira, garantues i të drejtave të njeriut, lirive fetare e të drejtave të komuniteteve jo shumicë”, ka nënvizuar Osmani.

Ajo ka thënë se ‘Kosova e ekonomisë së tregut të lirë dhe kontribuuesja e paepur për paqe e siguri e meriton të jetë pjesë e familjes së Bashkimit Evropian’.

“Rruga jonë përpara është e qartë, procesi i anëtarësimit nuk është proces i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur që t’ia dalim me sukses. Ne, do ta bëjmë pjesën e punës sonë në mënyrë që BE ta ketë sa më të lehtë ta bëjë pjesën e punës së vetë. Në këtë rrugëtim, ne, do të jemi përherë një partner i besueshëm. Andaj, ne, sot po bëjmë në hap historik në mënyrë që Bashkimi Evropian të lëvizë sa më shpejt drejt vendimit historik”, është shprehur presidentja pas ceremonisë së nënshkrimit.

Krerët e shtetit nënshkruajnë aplikimin për anëtarësim në BE

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.