Serbia ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe policisë
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i137152-serbia_ngriti_gatishmërinë_luftarake_të_ushtrisë_dhe_policisë
“Ngritja e gatishmërisë së plotë luftarake do të thotë se ne jemi të gatshëm të reagojmë nëse dikush i sulmon serbët në Kosovë”, tha të martën kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 27, 2022 15:40 Europe/Tirane
  • Serbia ngriti gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe policisë

“Ngritja e gatishmërisë së plotë luftarake do të thotë se ne jemi të gatshëm të reagojmë nëse dikush i sulmon serbët në Kosovë”, tha të martën kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Ajo tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka “kërcënuar me heqjen e dhunshme të barrikadave”, që grupe serbësh i kanë ngritur në veri të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i mohoi pretendimet e Serbisë se edhe Kosova ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake dhe tha se institucionet e vendit të tij po punojnë me partnerët ndërkombëtarë që çështja e barrikadave të zgjidhet pa u përshkallëzuar situata. Sveçla tha se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, ka ngritur nivelin e gatishmërisë luftarake dhe ka urdhëruar ngritjen e barrikadave të reja në Kosovë, “për të justifikuar dhe mbrojtur grupet kriminale”. Deri më tani, për shkak të tensioneve me Kosovën, Serbia ka rritur disa herë gatishmërinë luftarake të ushtrisë, por kjo është hera e parë që ajo i vë të gjitha forcat policore në nivelin më të lartë të gatishmërisë. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha të martën se ky është reagim ndaj “kërcënimit të menjëhershëm për luftë dhe çdo gjëje që po bën Prishtina për të kryer sulm” në veri të Kosovës. Nuredin Ibishi, ekspert për çështje të sigurisë në Kosovë, thotë se vendimi i autoriteteve serbe për të rritur gatishmërinë luftarake nuk është befasues. “Mendoj se këto lojëra të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, janë të njohura. Me qëllim ai dëshiron t’i ngrejë tensionet dhe të demonstrojë forcën në afërsi të kufirit shtetëror me Kosovën. Por, ai e di ku është kufiri”, thotë Ibishi. Ai thotë se nuk sheh ndonjë ndërhyrje të mundshme ushtarake të Serbisë në Kosovë, për shkak të pranisë së forcave paqeruajtëse të NATO-s në vend.