Vuçiç: Kurti kërkon të paraqesë veten si Zelensky dhe mua si Putinin
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha sot se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se “kufiri i Serbisë dhe Kosovës është bërë kufi i NATO-s dhe Rusisë” është një tjetër nga mesazhet e dëshpëruara politike me të cilat Kurti po përpiqet të paraqitet si viktimë.
Sipas Vuçiçit, Serbia i ka kufijtë e saj të përcaktuara me të drejtën ndërkombëtare, shkruan Danas.“Serbia i ka kufijtë e saj, as kufijtë e Rusisë dhe as të NATO-s, por të sajin, të vendosur me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. Pra – thuaj çfarë të duash dhe si të duash, përpiqu të na vendosësh diku që nuk jemi dhe vendose veten aty ku nuk je. Ne kemi vendin tonë, për të cilin jemi krenarë, Serbinë. Dhe, kufijtë nuk i përcaktoni ju, por e drejta publike ndërkombëtare”, theksoi Vuçiç. Ai nënvizoi se ky është një tjetër nga mesazhet e dëshpëruara politike në të cilat Kurti përpiqet të paraqesëveten si viktimë, apo Zelensky i ri dhe atë si një Putin i vogël. “Nuk jam në merak, kam gati një vit që dëgjoj budallallëqe sa të duash. Është e imja ta udhëheq Serbinë, si një vend i pavarur, sovran, i lirë dhe liridashës dhe jam krenar që po e bëjmë këtë”, u shpreh kreu i shtetit serb.