Sllovenia përkrah Kosovën për anëtarësim në BE e KiE
Nga ana e saj, ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, rikonfirmoi se Sllovenia e Kosova kanë lidhje të forta mes tyre.
Jeton Musliu/RTKlive
Në këtë frymë, ajo uroi kosovarët për arritjen e fundit e që është marrja e datës finale për liberalizim të vizave, që është më së largu 1 janari i vitit 2024.
“Ky do të jetë hap i mirë për integrime evropiane”, tha Fajon. Ajo tha se me homologen kosovare ka biseduar për bashkëpunim mes dy vendeve.
“Sllovenia ka interes të investojë e bashkëpunojë me Kosovën në shuam fusha, si në atë të energjetike.
“Por kemi folur edhe për ambiciet e Kosovës për anëtarësim në BE e Këshillin e Evropës, për reformat në drejtim të shteti t të së drejtës”, deklaroi kryediplomatja sllovene.
Ajo konfirmoi se të gjithë janë të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan dhe sipas saj, duhet pasur një Ballkan Perëndimor të fortë e gjithashtu edhe një Kosovë të fortë.
“Folëm edhe pjesën veriore të Kosovës, dhe për përpjekjet e Kosovës që të përpiqet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, që të mos eskalojë situata e të vazhdojë dialogu për marrëveshjen e sponsorizuar nga BE-ja”, tha Fajon.
Ajo ritheksoi se Sllovenia është miku i Kosovës. “Nuk flas vetëm nga pozita e ministres së Jashtme, pasi unë e njoh Kosovën dhe do t’i ofrojmë mbështetje për integrimin e saj në çdo mënyrë’, tha Fajon.
Në fakt, lidhjet e saj me Kosovën janë të forta e të hershme pasi e njëjta ishte edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi, ministrja Fajon tha se Sllovenia e mbështet këtë proces.
“Në prill do të kemi edhe zgjedhje në pjesën veriore, të cilat duhet të jenë të ndershme e të lira”, tha ajo.
Gërvalla: Të shohim gatishmërinë e Serbisë për të drejtat e pakicave
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se Kosova është e gatshme dhe e përgatitor të finalizojë këtë proces.
“Por e tillë nuk është Serbia. Keni parë çdo ditë se si Vuçiq e Daçiq flasin se nuk do ta njohin Kosovën ,se Kosova është çerdhe e terrorizimit e shumëçka tjetër”, tha ajo.
“Por jemi të gatshëm që me ngulm, atë që ka thënë BE-ja, të vazhdojmë të bisedojmë intesivisht e të flasin për tërë situatën e jo të merremi me cështje të vogla”, tha ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës.
Sa i përket Asociacionit, ministrja Gërvalla rikujtoi e ajo marrëveshje e vitit 2015, nuk e ka kaluar testin e Kushtetutës.
“Kosova nuk do të kërkojë rrugica. Por se cilat do të jenë koncesionet e Serbisë ndaj pakicave të saj, do të shohim në kuadër të dialogut”, tha ajo.
“Edhe pse Kushtetuta jonë si rrallë ndonjë Kushtetutë në botë garanton të drejtat e minoritetit, nëse shohim edhe gatishmërinë e Serbisë për të drejtat e pakicave në Serbi, atëherë mund të flasim”, u shpreh kryediplomatja kosovare.
“Nuk mund të kërkohet nga Kosova të shkelë Kushtetutën e saj”.
Ajot ha se dialogu duhet të fillojë me intensitet e jo një herë në gjashtë muaj.