Lajçak pas takimit me Kurtin: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i139302-lajçak_pas_takimit_me_kurtin_të_gjitha_marrëveshjet_duhet_të_zbatohen
Takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak ka përfunduar pak më herët. Ishte vetë sllovaku që dha një deklaratë për media, duke kërkuar që të gjitha marrëveshjet të zbatohen.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 06, 2023 12:55 Europe/Tirane
  • Lajçak pas takimit me Kurtin: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen

Takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak ka përfunduar pak më herët. Ishte vetë sllovaku që dha një deklaratë për media, duke kërkuar që të gjitha marrëveshjet të zbatohen.

Lajçak tha se vizita e tij në Prishtinë është në kuadër të diskutimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa plani evropian i njohur tashmë si “franko-gjerman” ka qenë pjesë e diskutimit.

Emisari evropian ka thënë se me kryeministrin Kurti kanë folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

I pyetur për kushtet e vendosura nga Kurti për themelimin e Asociacionit, ai ka thënë se BE ka qëndrim lidhur me këtë, "por se nuk mund të jep detaje shtesë". Derisa ka potencuar se rregullat janë që  të gjitha marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.

Kurti e Lajçak, drekë pune në Prishtinë

M.Shefkiu/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, po zhvillojnë një drekë pune në Prishtinë. Në takimin po merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i emëruar nga Qeveria e Kosovës si përfaqësues në bisedimet me Serbinë.

Vizita e Lajçakut në Prishtinë, në Kosovë, e dyta brenda 10 ditësh, po zhvillohet në kohën e rritjes së kërkesave nga faktori ndërkombëtar që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Prishtinës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, ditëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri “Franko-Gjerman”, që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura, janë zbatuar deri më tani. Sipas kryeministrit Kurti, Serbia nuk i ka përmbushur shumicën e këtyre marrëveshjeve. 

RTK