Kurti takoi presidenten e BERZH-it, merr mbështetje për zhvillim ekonomik
(last modified Sat, 18 Feb 2023 13:35:00 GMT )
Shkurt 18, 2023 14:35 Europe/Tirane
  • Kurti takoi presidenten e BERZH-it, merr mbështetje për zhvillim ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, ka takuar presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Odile Basso, me të cilët ka biseduar për projektet që janë në zbatim e sipër me mbështetje të BERZh-it, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit.

Sipas njoftimit qeverisë, kryeministri Kurti ka falënderuar presidenten e BERZh-it, Basso për mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion i ka dhënë Kosovës ndër vite.

Kurti ka thënë se, te BERZh-i Qeveria e Republikës së Kosovës sheh një partner të rëndësishëm në realizimin e qëllimeve të saj në zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në fushën e transportit, digjitalizimit, energjisë dhe sektorit privat.

Duke theksuar zhvillimin ekonomik dhe demokracinë cilësore në vend, kryeministri Kurti thuhet se veçuar “trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit, dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore”.

Kryeministri Kurti e njoftoi presidenten Basso edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar, si dhe në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2022.

Sipas komunikatës së ekzekutivit, presidentja Basso e ka uruar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për suksesin në luftën kundër korrupsionit. Ajo po ashtu ka shprehur përkushtimin e BERZh-it për të bërë edhe më shumë në mbështetje të Kosovës, me theks në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe të efiçiencës së energjisë dhe sektorin privat.

Për takimin me presidenten e BERZH-it ka shkruar në Twiter edhe vetë kryeministri Albin Kurti.  

“Kosova po ndërmerr një seri investimesh infrastrukturore të zgjuara dhe të synuara që do të krijojnë vende të reja pune dhe do të shtyjnë rritjen tonë ekonomike. Në ditën time të parë në Konferencën e Sigurisë në Mynih kamë takuar presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Odile Renaud Basso. E kam falënderuar për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe gjithashtu kemin diskutuar për bashkëpunimin në të ardhmen”, ka shkruar Kurti në Twitter.

RTKlive

Tags