Protesta të nacionalistëve në Beograd
Në rrugët e Beogradit u shpreh zemërata e nacionalistëve serbë kundër planit perëndimor që synon përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Atyre iu bashkuan edhe të krishterë ortodoksë, në një kohë kur Kosovën, ku ndodhen kishat dhe manastiret kryesore të besimit ortodoks serb, shumë e cilësojnë si zemrën e kombit serb. Nacionalistët e shprehën që në fillim pakënaqësinë e tyre e me pajtimin e presidentit Aleksandar Vuçiç me propozimin europian, e madje ndaj tij pati edhe etiketime si “tradhtar”. Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u pajtuan në 27 shkurt në Bruksel me ujdinë që synon normalizimin e relatave mes dy vendeve, dhe ndonëse nuk e nënshkruan atë, në BE konsiderojnë se dy liderët e kanë dhënë tashmë zotimin e tyre se e mbështesin planin dhe nuk ka më kthim mbrapa. Ata do të takohen sërish në Ohër të Maqedonisë së Veriut në 18 mars. Kisha Ortodokse Serbe organizoi lutjet e saj për Kosovën, të cilat do të zgjasin deri në Pashkë, por nuk mbështeti publikisht marshimin dhe klerikët e saj nuk morën pjesë në të. Para pak ditësh, Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije tha gjatë një predikimi se “askush nuk duhet t’i mësojë kishës… çfarë është Kosova… Çlirimi i Kosovës me fjalë është i lehtë”.