Greqia ndërmjetëson për afrimin e Kosovës dhe Serbisë
(last modified Mon, 13 Mar 2023 06:50:26 GMT )
Mars 13, 2023 07:50 Europe/Tirane
  • Greqia ndërmjetëson për afrimin e Kosovës dhe Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë.

Diskutimet gjatë vizitës pritet të fokusohen në zhvillimet në dialogun Beograd-Prishtinë dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Kohëve të fundit ministri grek ka shpeshtuar vizitat e tij në Kosovë. Vizita e tij e fundit ishte më 20 dhjetor të vitit 2022. Gjatë vitit që lamë pas ai kishte qëndruar për vizitë në Kosovë edhe gjatë muajit qershor. Sipas njoftimit nga MPJ e Greqisë është bërë e ditur se diskutimet gjatë vizitës pritet të fokusohen në zhvillimet në dialogun Beograd-Prishtinë dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani pas takimit me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka deklaruar: “Diskutuam për përkushtimin tonë të përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin dypalësh në mes të Kosovës dhe Greqisë, për procesin e dialogut me Serbinë, si dhe për zhvillimet e fundit në rajon. Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për paqe afatgjate në rajon, forcim të demokracisë dhe integrim të plotë në institucionet euroatlantike”. Ndërkaq në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes theksohet se Osmani ka kërkuar që mbështetja greke për anëtarësimin e Kosovës në institucionet euroatlantike të vazhdojë. Ndër të tjera, Osmani ka theksuar se integrimi i plotë ndërkombëtar i Kosovës, përfshirë Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Këshillin e Evropës, do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme në rajon. Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë. Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias u prit edhe nga kryeministri Albin Kurti. Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media bëri të ditur se gjatë takimit Kurti-Dendias, u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe perspektivat për avancimin, themelimin dhe fuqizimin e tyre. “Kryeministri Kurti i shprehu edhe një herë ngushëllime ministrit Dendias dhe popullit grek për jetët e humbura në aksidentit tragjik që ndodhi në Greqi në javën e parë të marsit. Ata folën për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për propozimin evropian për Marrëveshje Bazë. Me këtë rast kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Dendias për takimin e 27 shkurtit në Bruksel dhe pritjet e Kosovës nga takimi i 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë së Kosovës.

 

Tags