Osmani iu përgjigjet ndërkombëtarëve: Veprimet e policisë në Veri janë legjitime
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i144510-osmani_iu_përgjigjet_ndërkombëtarëve_veprimet_e_policisë_në_veri_janë_legjitime
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka vlerësuar legjitime veprimet e Policisë së Kosovës, e cila, më 26 maj, u ka mundësuar kryetarëve të rinj të komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të hyjnë në objektet e zyrave komunale.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
May 27, 2023 08:06 Europe/Tirane
  • Osmani iu përgjigjet ndërkombëtarëve: Veprimet e policisë në Veri janë legjitime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka vlerësuar legjitime veprimet e Policisë së Kosovës, e cila, më 26 maj, u ka mundësuar kryetarëve të rinj të komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të hyjnë në objektet e zyrave komunale.

Osmani ka theksuar se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm” dhe sipas saj “mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj”.  “Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiçit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Facebook. Ajo ka shtuar se “qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”.  Kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas në këto komuna të banuara me shumicë serbe, kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë. Vlen tw theksohet se kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci sapo ka dalë nga ndërtesa e komunës nën përcjelljen e forcave të policisë, raporton KosovaPress. Gjatë ditës disa qytetarë nga komuniteti serb kanë protestuar duke bërë përpjekje të pengojnë kryetarin e zgjedhur që të futet në objekt. Protestuesit në Zveçan ndërkohë filluan të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët  më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu, protestuesit kanë djegur një veturë zyrtare dhe disa të tjera i kanë shkatërruar. Përveç personave të angazhuar dhe automjeteve të tyre të vendosura në afërsi dhe pranë objekteve komunale, në komunat veriore janë lëshuar edhe alarmet të cilat përdoren nga strukturat kriminale për mobilizim dhe tubime.