Kurti nuk tërhiqet! Escobar paraqet “ofertën” e fundit
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tregoi sërish se nuk tërhiqet për situatën në veri.
Lideri i Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar sërish se zgjedhjet në veri mund të bëhen vetëm nëse plotësohen kërkesat e paraqitura nga ai. Nga ana tjetër i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikën dhe Ekonominë e Evropës Juglindore, është shprehur se Kurti është partneri i tyre edhe pse ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë. “Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë”, deklaroi Escobar. SHBA-ja ka kritikuar vazhdimisht qëndrimin e vendosur të Kurtit, e për këtë kanë marrë disa masa duke nisur që nga përjashtimi i Kosovës nga stërvitja “Defender Europe 2023”. Kosova është njoftuar për sanksione të rënda në rast se kryeministri Albin Kurti nuk iu përgjigjet pozitivisht kërkesave të Shteteve të Bashkuara. Mes sanksioneve për Kosovën mund të jetë ngrirja e fondeve të BE-së dhe SHBA-së për projekte të shumta, po ashtu edhe e procesit të liberalizimit të vizave e të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.