Masa të reja për parandalimin e emigrantëve në Evropë
Aleksandër Vulin ministër I punës dhe mirëqenies sociale në Serbi njoftoi shtimin e masave të kontrollit në kufi për të parandaluar futjen e emigrantëve dhe ka thënë se kufiri serb nuk mund të bëhet vend parkimi për emigrantët që vijnë nga Afganistani dhe Pakistanit dhe të asnjë personi tjetër që synon të shkojë në Evropë. Serbia tashmë ka mbyllur kufijtë me Maqedoninë.
Serbia ka deklaruar se ka mbyllur kufijtë e saj me Maqedoninë dhe Bullgarinë për të gjithë ata që nuk kanë dokumente të vlefshme. Ndërkohë Sllovenia ka prezantuar kufizime të reja kufitare për emigrantët, si pjesë e përpjekjeve për të mbyllur rrugën ballkanike nga Greqia në Evropën Perëndimore. Maqedonia do ta përforcojë kontrollin kufitar me forca plotësuese ushtarake dhe policore, ka vendosur Grupi për vlerësim, si masë parandaluese, pas shqyrtimit të situatës me emigrimin ilegal. Nga burime ushtarake zbulohet se pas mbylljes së shtegut të Ballkanit perëndimor, në ditë ka rreth 300 përpjekje për kalim të kufirit të Maqedonisë, transmeton Telegrafi Maqedoni. Personat që ia dalin ta kalojnë kufirin e Maqedonisë, më pastaj vazhdojnë drejt Serbisë. Në të njëjtën kohë nga Bullgaria rreth 100 emigrantë në ditë përpiqen të kalojnë në Serbi. Me qëllim të parandalimit të kalimeve ilegale të emigrantëve në kufirin me Bullgarinë dhe Maqedoninë, përveç dënimeve më të ashpra për tregtarët me njerëz, qeveria e Serbisë ka marrë vendim të formohen ekipe të përbashkëta ushtarake dhe policore të cilët do të shpërndahen në kufijtë midis shteteve. Nga deklaratat e zyrtarëve serb, lihet të nënkuptohet se për momentin ata nuk planifikojnë të ngrenë një gardh mbrojtës. Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe Kroacia Vetëm emigrantët që planifikojnë të kërkojnë azil në vend, apo ata me nevoja të qarta humanitare do të lejohen të hyjnë në Slloveni. Këto ishin dy shtetet e fundit që nuk kishin marrë masa të ashpra ndaj emigrantëve dhe në këtë pikë e ardhmja e zonës Shengen tashmë vihet zyrtarisht në dyshim. Tre anëtarë të zonës pa pasaporta të Bashkimit Evropian përfshirë Austrinë, Hungarinë dhe Sllovakinë kanë forcuar kontrollet kufitare duke lënë mijëra emigrantëve të bllokuar. Sipas paralajmërimeve të Komisionit Evropian, nëse emigrantët nuk bashkëpunojnë me vendet pritëse, atëherë këto vende kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën për azil dhe të kthejnë mbrapsht emigrantët. Një tjetër plan i komisionit evropian për shpërndarjen e emigrantëve është që të ndihmojë vendin pritës jashtë bashkimit evropian me nga 10 mijë euro për çdo emigrant që ky vend pret. Ky plan i komisionit evropian që të marrë formën e zbatimit duhet të miratohet nga parlamenti evropian. Sipas zyrtarëve evropianë këto masa merren për të zgjidhu çështjen e emigracionit në të gjithë Evropën. Më shumë se 1.4 milion emigrantë kryesisht afganë dhe sirianë nga viti 2015 e deri tani kanë shkuar në vendet evropiane.