NATO dhe Rusia organizojnë njëkohësisht manovra ushtarake në Ballkan
(last modified Wed, 02 Nov 2016 14:54:19 GMT )
Nëntor 02, 2016 15:54 Europe/Tirane
  • NATO dhe Rusia organizojnë njëkohësisht manovra ushtarake në Ballkan

NATO pritet të zhvillojë një stërvitje të emergjencës civile në Mal të Zi, ndërkohë që Serbia përgatitet për një stërvitje të përbashkët me 150 parashutistë rusë.

Moska, nga ana e saj, kundërshton planin e politikës së jashtme malazeze për të rritur marrëdhëniet me NATO-n dhe BE-në. Vetëm pak kohë më parë, në Mal të Zi dhe në Serbi janë arrestuar disa persona, me dyshimin se po komplotonin rrëzimin e kryeministrit malazez në largim, Milo Djukanoviç. Veç kësaj, një sasi e madhe arsenali armësh janë zbuluar pranë shtëpisë së familjes së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, ditën e shtunë. Mbi këtë ngjarje, ka dyshime se armët do të përdoreshin për të vrarë Vuçiçin, një reformator proeuropian, edhe pse ishte vet ai që e hodhi poshtë këtë aludim. Në Mal të Zi, zyrtarët akuzojnë Rusinë si ideatoren e komplotit ndaj kryeministrit Djukanoviç. Stërvitja 4-ditore e NATO-s në vendin fqinj do të nisë të hënën, ndërkohë që do të përfshijë edhe Qendrën Euroatlantike të Koordinimit të Përgjigjes ndaj Fatkeqësive, të aleancës. E fokusuar në zonën e Nikshiqit, synimi i kësaj stërvitjeje është praktika në terren përballë një situate emergjente të shkaktuar nga përmbytjet apo sulmi me lëndë kimike. Në të do të marrin pjesë 680 pjesëmarrës, nga të 32 vendet anëtare të NATO-s, por edhe partnerë të tjerë. Izraeli, Azerbajxhani dhe Kosova janë mes vendeve të përfshira, por që nuk janë pjesë e aleancës.

 

Tags