Haradinaj në burg, Vucic kërkon ekstradimin
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka cilësuar të pakuptimtë dhe të papranueshëm vendimin e Francës për të mbajtur në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e kësaj partie.
“Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor.Për më tepër mbajtja në paraburgim e zotit Haradinaj, për t’i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks”, thuhet në deklaratën e AAK-së.Partia e zotit Haradinaj ndërkaq u ka bërë thirrje “autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish regjimi i Millosheviçit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij.Ne jemi të bindur se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim Zotin Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdojë punën e tij”. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se prokurorët serbë kanë një sërë provash dhe elementësh inkriminues ndaj Ramush Haradinajt.Vuçiç ka thënë se ai do të dëshironte që Franca, si vend serioz ku sundon shteti ligjor, të mos veprojë mbi linjat e pozicioneve politike, por brenda të atyre të drejtësisë. “Nëse nuk ndodh kështu, atëherë do të ngrihet pyetja sesi do të reagonte Beogradi në një situatë të ngjashme. Ta lënë të ikë edhe një herë e pastaj le të vijnë këtu e të më mbajnë leksione mbi kapitujt 23 dhe 24 të bisedimeve të anëtarësimit dhe parimeve të shtetit ligjor”, ishte komenti i Vuçiç. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u ndalua të mërkurën nga policia në pjesën franceze të aeroportit Basel-Mulhouse, i hapur në vitin 1946, për të shërbyer në rajonin kufitar ndërmjet Francës, Zvicrës e Gjermanisë./ora/