Daçiq: Shqiptarët në diasporë planifikojnë sulm ndaj ambasadave serbe/Reagon Prishtina
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i41581-daçiq_shqiptarët_në_diasporë_planifikojnë_sulm_ndaj_ambasadave_serbe_reagon_prishtina
Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, nuk ka të ndaluar me propagandën kundër shqiptarëve, pasi ka deklaruar se diaspora shqiptare planifikon të marrë nën kontroll një nga objektet e misioneve diplomatike apo konsullore të Serbisë.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Janar 09, 2017 17:50 Europe/Tirane
  • Daçiq: Shqiptarët në diasporë planifikojnë sulm ndaj ambasadave serbe/Reagon Prishtina

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, nuk ka të ndaluar me propagandën kundër shqiptarëve, pasi ka deklaruar se diaspora shqiptare planifikon të marrë nën kontroll një nga objektet e misioneve diplomatike apo konsullore të Serbisë.

Sipas tij, qëllimi i një veprimi të tillë është që të detyrojë Serbinë të heqë dorë nga kërkesa për gjykimin e Ramush Haradinajt, transmeton Telegrafi. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, ka deklaruar se lidhur me një gjë të tillë janë informuar policia dhe organet e sigurisë të këtyre vendeve, dhe të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore të Serbisë. “Kjo tregon për atë se për çfarë janë politikanët shqiptarë të gatshëm – madje edhe për terrorizëm”, ka shtuar Daçiq. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përmes një komunikate dënon ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”. MPJ vlerëson se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orekstronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve. “Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Dacic janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.