Greqia e shqetësuar nga nacionalizmi shqiptar?
Ekziston një plan më i gjerë i ringjalljes së nacionalizmit shqiptar, që sipas ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamneos u shpreh së fundmi edhe me deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për çamët.
Kjo deklaratë e ministrit grek u nxit nga fotoja e rekrutëve të ushtrisë greke me origjinë shqiptare, që bënin shqiponjën me duar. Ai i ka cilësuar këto akte si antigreke dhe nacionaliste dhe ka theksuar se, “kush nuk ndihet grek le të kthehet në atdheun e tij”. Megjithatë, Kamneos ka kërkuar që të mos përgjithësohen të gjithë emigrantët me këto akte. Për autorët e “shqiponjës” në kazermën e Mesologji nuk përjashtohet heqja e nënshtetësisë dhe ndoshta edhe deportimi. Ministri ka kujtuar atë që e ka quajtur “mëkat” të qeverisë socialiste të Simitis që i jepte nënshtetësinë brezit të dytë të emigracionit “pa konroll dhe me kriter të vetëm sigurimin e votave”. Pasoja mund të ketë edhe për nënpunësit grekë të implikuar në dhënien e nështetësisë shtatë rekutëve shqiptarë, në qoftë se do të konstatohen shkelje të ligjit. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, në një intervistë përballë tre gazetarëve në studion e televizionit shtetëror, është pyetur midis të tjerash edhe për problemet me Shqipërinë. Kotzias ka deklaruar se Greqia, si shteti më i fuqishëm ekonomikisht në Ballkan, pavarësisht krizës ka edhe potencialet e veta të fuqishme diplomatike për të përballuar nacionalitetin në rritje të disa prej shteteve të rajonit, të cilat sipas tij janë riformuar si shtete kombe në dy dekadat e fundit. “Ky nacionalizëm përballohet me mjetet e pushtetit diplomatik që kemi si vend, mjete të një fuqie të butë. Domethënë se, kur Shqipëria besonte se mund të bënte një shëtitje integrimi në BE, sepse i dhamë si Greqi statusin e vendit kandidat pa asnjë shkëmbim, besoi se do të merrte edhe hapjen e negociatave për anëtarësim pa ndonjë kusht. Por nuk duhet të luajë me nacionalizmin, të thotë gjëra të ndryshme joserioze. Dhe ne ia rikujtuam këtë fakt”, ka deklaruar Kotzias. I pyetur për djegien e flamurit grek në Dropull, Kotzias ka theksuar se Greqia i dënon këto incidente të veçuara, por nuk duhet të kthejë çdo ngjarje të tillë në një objekt të rëndësishëm të politikës së jashtme. “Thelbi i problemit në Shqipëri është se duhet të kërkohet nga ajo shteti i së drejtës, të luftohet trafiku i drogës dhe krimi i organizuar. Duhet të ekzistojë njohja e të drejtave të popullsisë vendase të minoritetit grek në të gjithë Shqipërinë dhe të ndalohen lojrat me pronat e tyre. Dhe këto angazhime i kërkon vetë Europa”, ka thënë Kotzias. Kotzias ka ripërsëritur se Greqia është një vend që kërkon të zgjidhë problemet që ka me fqinjët, por në bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe europiane.