Serbia dhe Greqia aleancë kundër Maqedonisë
Pas Greqisë edhe Serbia ia kthen shpinën Maqedonisë. Akuzat për nacionalizëm që kryeministri grek Aleksis Cipras i drejtoi Shkupit nga Beogradi një ditë më parë kanë ngjallur dyshime të kenë qenë të koordinuara mes autoriteteve greke dhe serbe.
Sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare Serbia përgatiti terrenin për vizitën e Ciprasit me deklaratën e dhënë kohë më parë se kishte gabuar që kishte njohur Maqedoninë me emrin e saj kushtetues, ndërkohë që akti i djeshëm vulosi ndryshimin e politikës serbe ndaj Shkupit.“Është e pakontestueshme që Serbia ka ndryshuar qëndrimet ndaj Maqedonisë kjo është edhe në kontekst të marrëdhënieve me Greqinë sepse të mos harrojmë se kishte parashikime se Athina deri në fund të vitit të kaluar do ta njihte Kosovën. Tani Cipras tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh. Tërheqja e Beogradit nga njohja e emrit tonë kushtetues është një hap negativ dhe mendoj se me një veprim të tillë Beogradi kthehet në skenën politike të Ballkanit me një konflikt të drejtpërdrejtë me Maqedoninë me kthimin e politikës nacionaliste serbe që i ngjan kohës së Millosheviçit” – deklaroi Risto Nikovski, ish diplomat maqedonas. Edhe pse faji për moszgjidhjen e çështjes së emrit nuk mund ti faturohet vetëm Maqedonisë sipas analistëve vendi ka dështuar në realizimin e prioriteteve sa i përket politikës së jashtme dhe kultivimit të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Kryeministri grek Aleksis Cipras një ditë me parë theksoi se pavarësisht vullnetit grek çështja e emrit nuk mund të zgjidhet për aq kohë sa Maqedonia promovon politikë irredentiste dhe nacionaliste. Por Ministria e Jashtme e Maqedonisë akuzat e Ciprasit i cilësoi si shpifje dhe ftoi Athinën ta respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe ndërtojë partneritet.