Plagoset në krah Azem Vllasi, jashtë rrezikut për jetë
Avokati Azem Vllasi është plagosur me armë zjarri mëngjesin e të hënës afër shtëpisë së tij në Prishtinë. Ai është jashtë rrezikut për jetën dhe po i bëhen ekzaminime mjekësore në QKUK.
Lajmi është konfirmuar për rtklive.com nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani. Por, ai nuk ka dhënë detaje për arsyet që kanë mundur të çojnë në plagosjen e avokatit Vllasi. Ndërkohë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëjnë me dije se Vllasi ka marrë një plagë në krah dhe është jashtë rrezikut për jetën. “Aktualisht po i bëhen CT dhe ekzaminime tjera”, ka thënë për rtklive.com, Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së. Azem Vllasi më 1974 ishte zgjedhur kryetar i organizatës së rinisë së Jugosllavisë. Pastaj ka vazhduar me pozitat me të larta në ish-Jugosllavi dhe Kosovë. Në vitet e 80-ta ishte kryetar i ish - Krahinës Autonome të Kosovës 1985-1988.