Thaçi: Paradoksal organizimi i zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë
Serbia pritet që zgjedhjet presidenciale t’i mbajë edhe në Kosovë.
Të paktën kështu është marrë vendim nga komisioni zgjedhor i Serbisë, që të hap 90 vendvotime në Kosovë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për mediat, thotë se në ditët në vazhdim do të merret vendimi për këtë çështje, në bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare. Ai theksoi se vendimi i institucioneve të vendit do të jetë vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. “Është një paradoks, që përderisa vet serbët e Kosovës bojkotojnë institucionet, tash kemi një rrethanë të mundësisë për organizimin e zgjedhjeve apo kërkesës për organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Përgjigjen për këtë do ta dhënë institucionet në mënyrë unike në ditët e ardhshme dhe në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, por çdo vendim do të jetë i bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës … që do të thotë se do të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, tha Thaçi.Javën që shkoi zyrtarë të Qeverisë së vendit patën paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të merret vendimi nëse do të lejojnë ose jo mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, porse ende nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Kreu i shtetit në këtë intervistë ka folur edhe për tema tjera, siç janë vrasjet politike të ri-aktualizuara ditëve të fundit nga LDK-ja, komisionin për të vërtetën dhe pajtimin, si dhe hapat që do të ndërmerren në rast se nuk kalojnë në Kuvendin e Kosovës, Asociacioni dhe ushtria.