Kërkesa e këshillit të Evropës drejtuar Serbisë
Këshilli i Evropës ditën e martë i është drejtuar Serbisë me një kërkesë për njohjen e gjenocidit të Serbisë në Srebrenicë.
Christian Ahlund, kryetari suedez i Komisionit për luftën kundër racizmit në Evropë, organ i varur nga Këshilli i Evropës, me anë të një deklarate ka kërkuar prej Serbisë që ajo të njohë gjenocidin e kryer në Srebrenicë të Bosnje Hercegovinës. Ky komision ka rikujtuar faktin se presidenca dhe parlamenti i Serbisë ka kërkuar falje për vrasjen masive të myslimanëve në Srebrenicë mirëpo edhe pse gjykatat ndërkombëtare, masakrën e Srebrenicës e kanë cilësuar gjenocid, as parlamenti dhe as presidenca serbe nuk e ka njohur këtë gjenocid. Gjatë luftës në Bosnje mbi 8500 burra dhe të rinj boshnjakë janë vrarë nga forcat serbe të kryesuar nga Ratko Mlladic. Vrasja e tyre u bë në formë të organizuar dhe sistematike dhe trupat e të vdekurve janë varrosur me buldozerë nëpër varre të ndryshme masive. Vrasja e myslimanëve në Srebrenicë është vrasja më e madhe e kryer që nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Me gjithë këto krime Serbia mundohet të gjejë mënyra për t’iu larguar përgjegjësisë dhe kur kanë kaluar pothuajse 18 vjet nga ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin e makinerisë ushtarake të Millosheviçit në luftën e Kosovës, nuk e kanë hedhur pas krahëve atë. Agjencia e lajmeve “BIRN” shkruan se Akademia Mbretërore e Shkencëtarëve ka pajtuar një grup ndërkombëtarë juristësh për të paditur vendet anëtare të NATO-s për bombardimet e vitit 1999. Sipas shkencëtarëve serbë, në këto bombardime, NATO ka përdorur uranium të varfëruar, pasojat e të cilit, sipas tyre ndjehen edhe sot. “Kemi ngritur një grup ekspertësh serbë dhe të huaj dhe kemi rreth 50 persona nga qyteti i Nishit dhe rrethinat e tij që kanë të njëjtën diagnosë kancerogjene. Por unë nuk jam mjek dhe u takon mjekëve që të përcaktojnë nëse kjo është shkaktuar nga bombardimet apo jo”, thotë Sredjan Nogo, President i Akademisë. Ai thotë për BIRN se grupi i ekspertëve përbëhet nga 26 juristë dhe profesorë nga Serbia, Rusia, Gjermania, Franca, Italia, Kina, Britania dhe Turqia. Padia nuk do të ngrihet për gjithë aleancën si bllok në Gjykatën e Hagës. Nogo thotë se paditë do të depozitohen në gjykatat e vendeve anëtare të NATO-s gjatë periudhës së bombardimeve dhe njëra prej kërkesave do të jetë edhe ndihma monetare për trajtimin e pacientëve me kancer në Serbi. NATO nisi bombardimet ndaj Serbisë më 24 mars të 1999 pas refuzimit të Sllobodan Millosheviç për t’i dhënë fund gjenocidit ndaj shqiptarëve etnikë në Kosovë.