Vuçiç: Shqiptarët do të jenë kombi më i madh në Ballkan
Në intervistën e dhënë për Tv Pink, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë një deklaratë kurajoze në lidhje me kombin shqiptar.
“Në 70 vjet, shqiptarët do të jenë kombi më i madh në rajon, sepse ata po rriten dhe nuk kanë probleme me politikanët e tyre, të cilët do të thonë ‘mos lindni fëmijë, mos mendoni për të ardhmen, por vetëm për rehati’”. Ka qenë kjo deklarata e pazakontë e Vuçiç, që në fakt, ka tentuar të godasë tek ajo elitë politikanësh serbë që nuk inkurajojnë lindshmërinë, pasi sa i përket “problemeve që kanë shqiptarët me politikanët e tyre”, ato janë po aq të mëdha sa në shumë vende të Ballkanit. Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Serbia e Re (Nova Srbija – NS) Velimir Iliq e ka ftuar sot kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiq ta thotë të vërtetën çfarë i ka thënë zyrtari amerikan Brian Hoyt Yee dhe a ia ka përcjellë ai atij qëndrimin e administratës amerikane se Serbia ka afat për ta njohur Kosovën deri më 1 janar të vitit 2019, transmeton Koha.net. “Sipas njohurive tona, Hoyt nga Vuçiqi ka kërkuar që ta përmbushë premtimin e dhënë me shkrim që Kosova të marrë ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara deri më 1 janar 2019 dhe ai ka theksuar se Amerika nuk do të tolerojë më asnjë ditë shtyrje”, ka thënë Iliç.