Rama: Kokaina kaloi portet e BE dhe u kap në Shqipëri
Operacioni më i fundit antidrogë i agjencive ligjzbatuese shqiptare ka pasur jehonë pozitive edhe në Bruksel.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duke folur nga Sofja pas takimit me zyrtarët e BE-së Juncker dhe Mogherini, tha se 613 kg kokainë kaluan pa problem portet e Bashkimit Europian dhe u kapën në Shqipëri. Ai tha se pret që Komisioni Europian të japë rekomandim pozitiv për negociatat, por shtoi se duhet punuar deri në qershor me vendet e BE. Presim një rekomandim pozitiv nga BE dhe pastaj dhe një përgjigje pozitive nga vendet anëtare. Është e qartë që duhet të punojmë intensivisht nga kjo periudhë sa i përket vendeve anëtare pasi kështu funksionon ky proces. Por është po ashtu e qartë se ka një mirëkuptim të gjerë lidhur me hapat e rëndësishëm që ka bërë Shqipëria dhe mbase vlen të nënvizohet në fund se edhe operacioni më i fundit nga agjensitë tona ligjzbatuese, hetimi doganor dhe policia e shtetit me mbështetjen e prokurorisë pati një jehonë shumë pozitive dhe u vlerësua me pozitivitet maksimal duke pasur parasysh se ngarkesa e kapur përbën jo vetëm një sasi që është më e madhja e kapur ndonjëherë prej nesh por një sasi që përpara sesa të vijë në vendin tonë ka kaluar në portet e BE dhe faktikisht u ka shpëtuar kontrolleve.