Intervistë ekskluzive e ish presidentit Rexhep Meidani për Pars Today
Ish presidenti i Shqipërisë z. Rexhep Meidani, profesor i shquar dhe anëtar i lartë i Akademisë së shkencave të Shqipërisë.
Ju urojmë mirëseardhjen profesor.
Faleminderit
Kjo është vizita e parë e juaja në Iran. Cilat janë përshtypjet tuaja nga Irani?
Më sollën në një vend që është në zhvillim me ritme të larta. Me pretendime për të ecur përpara dhe për të rrezatuar si dikur edhe kulturë dhe ky fakt na ka bashkuar këtu në Teheran. Përfaqësues të kërkimit shkencor të universiteteve dhe të akademive jo vetëm nga Irani dhe nga disa vende të tjera por edhe nga popullsia shqiptare. Pra kemi përfaqësues nga akademia e shkencave të Shqipërisë, nga Kosova dhe njëkohësisht nga Maqedonia. Do të ishte shumë mirë të kishim një përfaqësues edhe nga shqiptarët nga Mali i Zi, për të bërë atë kuartetin e fuqishëm të kombit shqiptar, që pavarësisht ndarjes së padrejtë është së bashku për të kujtuar një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, të zërit të fuqishëm të poezisë dhe të letërsisë shqiptare por njëkohësisht edhe një nga shpirtrat të lëvizjes kombëtare për rilindjen kombëtare.
Irani dhe Shqipëria kanë të përbashkëta kulturore të shumta. Por për mendimin tuaj cilat janë arsyet që kanë penguar forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e kulturës, politikës, ekonomisë, tregtisë dhe arsimit?
Natyrisht hapësirat e aktivitetit politik dhe ekonomik janë të shumëllojshme sot, jo vetëm për Iranin por edhe për Shqipërinë dhe Shqipëria ka interesa relativisht të profilizuara përsa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo shihet edhe nga përfaqësimi diplomatik i Shqipërisë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por nga ana tjetër unë do të thosha që ka mundësi shumë të mëdha për ta arritur këtë bashkëpunim midis dy vendeve, nisur edhe nga mundësitë për një rifuqizim të bashkëpunimit kulturor. Se po të shikosh ndikimin e kulturës perse në pjesën e kultivuar të popullsisë shqiptare, kjo është ndeshur edhe në shekullin e 16-të dhe në shekullin e 17-të dhe arriti kulmin e vet në shekullin e 19-të, jo sot më që mundësitë janë më të mëdha nëpërmjet jo vetëm botimeve tradicionale por dhe nëpërmjet kontakteve qofshin këto televizive, qofshin këto nëpërmjet internetit dhe në mënyrë akoma më të fuqishme kontaktet direkte. Unë personalisht besoj që kontakti njerëzor, kontaktet nëpërmjet aktiviteteve të tilla si konferenca e sotme mbi Naim Frashërin, vetëm i shërbejnë bashkekzistencës së popujve, paqes midis popujve dhe në mënyrë direkte ose indirekte edhe të bashkëpunimit në fusha të tjera përfshirë edhe bashkëpunimin ekonomik dhe në këtë kuptim duhet t’i shikojmë mundësitë për bashkëpunim.
Si e vlerësoni juve organizimin e konferencës për poetin e madh shqiptar Naim Frashëri në Teheran?
Është krenari për grupin shqiptar, sepse në fund të fundit ky organizim nuk bëhet në Shqipëri që do të ishte normale edhe nëse do të ishte bërë në Kosovë, pro bëhet në një vend si Irani. Natyrisht ka disa motive dhe motivi kryesor është që Naim Frashëri ka botuar dy libra në gjuhën perse, shkruar prej tij e jo të përkthyera. Pra, si një nga ato që e ka, ai ka qenë mjeshtër i kësaj gjuhe, i kësaj gjuhe të bukur. Me vëllimin e lirikave të titulluara “Ëndrrat”, por njëkohësisht edhe një libër tjetër për gramatikën. Flitet për një gramatikë moderne, para se të përdorej në gjuhën perse. Pra një vizion pozitiv i Naim Frashërit dhe kjo bëri që ky aktivitet të zhvillohet në Iran. Për Naim Frashërin ka edhe botime të tjera, të cilat janë në gjuhën turke, janë në gjuhën greke, krahas botimeve të shumta në gjuhën shqipe, sepse në total Naim Frashëri ka mbi 20 vepra të botuara dhe natyrisht ndjej kënaqësi që një nga personalitetet e letërsisë dhe të historisë së Shqipërisë, vlerësohet edhe në këtë takim të rëndësishëm në Teheran, pikërisht në vendin që ka qenë djepi i poezisë, është lexuar, është botuar mbi dashurinë mbi njeriun mbi ndërveprimin sa më njerëzor midis njerëzve.
Profesor ju faleminderit ju urojmë t’ia kaloni sa më mirë në Iran.