Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë, Moska reagon
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i71786-shqipëria_dëbon_dy_diplomatë_rusë_moska_reagon
Shqipëria nuk mbetet pas Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Europian. Tirana zyrtare vendosi këtë të hënë dëbimin e dy diplomatëve rusë.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Mars 26, 2018 17:10 Europe/Tirane
  • Shqipëria dëbon dy diplomatë rusë, Moska reagon

Shqipëria nuk mbetet pas Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Europian. Tirana zyrtare vendosi këtë të hënë dëbimin e dy diplomatëve rusë.

Ata janë Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës. Vendimin e bëri të ditur Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila thirri ambasadorin e Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksandër Karpushin. “Ambasadorit rus iu komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, njoftoi dikasteri i kryesuar nga Ditmir Bushati. Ky veprim i Shqipërisë është në sintoni me atë të një sërë vendesh të Aleancës së Atlantikut Verior, duke nisur nga Shtetet Bashkuara të Amerikës. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi dëbimin e 60 diplomatëve rusë, ndërsa Gjermania, Franca, Ukraina, Kanadaja dhe vende të tjera europiane kanë dëbuar po ashtu përfaqësuesit e Moskës. Më herët gjatë së hënës ishte presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, që bëri të ditur se 14 shtete të BE-së kishin vendosur të dëbonin diplomatët rusë, respektivisht si në vijim: Franca (4); Gjermania (4); Polonia (4); Republika Çeke (3); Lituania (3); Danimarka (2); Holanda (2); Italia (2); Estonia (1); Kroacia (1); Finlanda (1); Letonia (1); Rumania (1). Nga jashtë BE-së, Ukraina (13) dhe Kanadaja (4). E para që nisi këtë aksion ishte Britania e Madhe, e cila në fillim të muajit dëboi 23 diplomatë rusë. Këto dëbime tashmë kolektive përbëjnë një dëshmi të rrallë solidariteti me Britaninë, që vjen në një kohë kur marrëdhëniet e saj me BE-në janë të tensionuara në lidhje me negociatat për “Brexit”-in. Rusia, ndërkohë, ka bërë të ditur se do të reagojë në mënyrë proporcionale. Rusia ka shprehur protestë pas vendimit të një sërë shtetesh për të dëbuar diplomatët rusë në shenjë solidarizimi me Britaninë e Madhe pas helmimit të një ish-agjenti të dyfishtë rus.  Janë të paktën 19 vende përfshirë edhe Shqipërinë që renditen në listën e "Sputnik" që kanë ndërmarrë veprime të tilla pas rastit të Skripal dhe të bijës së tij. Moska do të hakmerret kundër një serie të dëbimeve të diplomatëve rusë nga vendet evropiane dhe do të japë një përgjigje të pasqyruar në lidhje me secilin rast në ditët në vijim, tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë. "Ne shprehim protestë vendimtare mbi vendimin e marrë nga disa vende të BE-së dhe NATO-s për të dëbuar diplomatët rusë, do të ketë një përgjigje, do ta përpunojmë atë në ditët në vijim dhe do të japim përgjigjen tonë për secilin vend ... Ne e konsiderojmë këtë hap si jo miqësor dhe nuk i shërbejmë detyrave dhe interesave të gjetjes së shkaqeve dhe gjetjes së autorëve të incidentit që u zhvillua më 4 mars në Salisbury ", tha Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë.