NATO nga sot merr sigurinë ajrore të Malit të Zi
(last modified Tue, 05 Jun 2018 19:29:29 GMT )
Qershor 05, 2018 21:29 Europe/Tirane
  • NATO nga sot merr sigurinë ajrore të Malit të Zi

Nga 5 qershori, qiellin e Mali të Zi do ta patrullojnë avionët e dy aleatëve të tij të NATO-s, Italisë dhe Greqisë.

Vendi i vogël buzë Adriatikut, që iu bashkua Aleancës ushtarake të Atlantikut të Veriut vitin e kaluar, nuk ka avionë ushtarakë të vetët, e për këtë arsye i ka kërkuar NATO-s ta ndihmojë në garantimin e sigurisë së hapësirës së tij ajrore. Misione të tilla nuk janë të pazakonta. Politikat e aleancës përfshijnë edhe mbrojtjen e qiejve të aleatëve që nuk kanë një forcë ajrore të tyren. Mali i Zi kontribuon nga ana e tij në sigurinë e përbashkët të aleancës me dërgimin e trupave ushtarake në misione trajnuese në Afganistan. Ai siguron po kështu mbështetje financiare për Forcat afgane të Sigurisë. Avionët luftarakë italianë e ata grekë, të përfshirë në këtë nismë, do të vazhdojnë t’i kenë bazat në vendet e tyre dhe do të ngrihen prej andej sa herë të jetë e nevojshme. Politika ajrore e NATO-s nuk është domosdoshmërisht përgjigje ndaj një kërcënimi specifik, por një element thelbësor i mënyrës sesi garanton sigurinë e pjesëtarëve të saj. Rregullat e aleancës kërkojnë që forcat ajrore të saj të kenë në gatishmëri të paktën dy avionë luftarakë 24 orë në 7 ditë të javës, e në çdo moment më pas, me dhjetëra avionë të tjerë të jenë në gjendje të ngrihen në ajër, kurdoherë në mbarë Europën. Spanja, Portugalia dhe Franca janë aktualisht të angazhuara për mbrojtjen e hapësires ajrore të Lituanise, Letonisë dhe Estonisë. Italia ndihmon rregullisht në mbrojtjen e qiellit slloven, ndërsa forcat ajrore britanike patrullojnë në Rumani. Para dy ditesh,  ka nisur stërvitja ushtarake e kryesuar nga ushtria amerikane me 18 mijë ushtarë nga 19 vende, kryesisht anëtare të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA). Ushtria amerikane në Evropë njoftoi sot se stërvitja "Saber Strike 18" do të vazhdojë në rajon deri më 15 qershor. Stërvitja ka për qëllim të demonstrojë përkushtimin dhe solidaritetin e NATO-s në një kohë kur manovrat ushtarake ruse gjithnjë e më shumë po shqetësojnë anëtarët e Aleancës në këtë rajon. Ushtria amerikane ka thënë se "Saber Strike 18" nuk është provokim për Rusinë. NATO ka vendosur rreth 6.000 ushtarë në Poloni dhe vendet baltike, Estoni, Lituani dhe Letoni. Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë ka njoftuar edhe fillimin e stërvitjes më të madhe ushtarake kombëtare në vend "Stuhia e rrufesë", me rreth 9.000 ushtarë. Ministri I Mbrojtjes I Rusisë, Sergi Shoigu tha se hyrja e Malit të Zi në NATO rrit nevojën për kontroll në Aleancës në Ballkan. Sipas Ministrit rus, vendimi i fundit për pranimin e Malit të Zi në Aleancë është konfirmim i drejtpërdrejt i asaj se potenciali ushtarak i Podgoricës është zero, por pozita e saj gjeografike lejon NATO-n ta rris kontrollin në Ballkan. Ai ndër tjera, tha se avionet patrullë në hapësirën ajrore të Detit Baltik në NATO përbën kërcënim për Rusinë. “Këto veprime të NATO shihen si shkelje të bilancit në rajon, duke krijuar kërcënime për sigurinë e Rusisë”, tha Shoigu.

 

Tags