Fadil Hasa: I paharruari i kinemasë shqiptare
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i79448-fadil_hasa_i_paharruari_i_kinemasë_shqiptare
Pas një sëmundjeje të rëndë është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare, ‘Artisti i Merituar’ durrsak, autor i qindra roleve, humoristi Fadil Hasa.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 16, 2018 07:08 Europe/Tirane
  • Fadil Hasa: I paharruari i kinemasë shqiptare

Pas një sëmundjeje të rëndë është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare, ‘Artisti i Merituar’ durrsak, autor i qindra roleve, humoristi Fadil Hasa.

Janë miqtë e tij Muharrem Hoxha, Haxhi Rama, Roland Koça, që kanë dhënë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të kolegut me të cilin kanë ndarë jo vetëm role në skenë, por edhe dekada jetë.

Homazhet do të mbahen ditën e martë nga ora 10:00 deri në 11:00 në hollin e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Hasa mbante titullin “Artist i Merituar”, ndërsa kishte marrë 4 herë titullin “Artisti më i mirë”. Lindur më 1940, Hasa ka luajtur shumë role në filmat shqiptarë dhe teatro.

Ai ka luajtur rolin emblemë të “Mao ce Dun”, në vitin 2007, rol ku ka marrë edhe titullin “Aktori më i mirë”. Rolet e tij i kanë dhënë një vlerësim nga publiku, nga mënyra sesi aktori Hasa trajtonte problemet e shoqërisë shqiptare me nota humori.

Ka luajtur role të ndryshme në komedi, skece, parodi e pantonima e forma të tjera të humorit. Për publikun shqiptar të njohura janë disa role si Lushi në “Sheqer, sheqer” ; Rrema tek “Or ti i kshillit”; Hamdia në “Mysafiri i paftuar”; tek monologu “Qyli” etj.

Pjesa “Dajrja”, krah kolegut Muharrem Hoxha, mbetet e paharruar, e po kështu edhe të tjera pjesë, si “Tekniku i lavatriçes”, “Tungjatjeta pelivan”; apo copëza humori, të cilat shfaqeshin për natën e fundvitit në ekranin e televizionit publik shqiptar, mbeten edhe sot, si perla të humorit.

Fadil Hasa ka luajtur edhe në filma artistike si : Zëvendësi i grave (1987) roli i Shabanit; Mao Ce Dun (2007) roli i Hekuran Romalinit; Kronikë provinciale (2009). Vendlindja e tij është Kruja, por ai njihet nga të gjithë si Fadili i estradës së Durrësit.