Vulin jep arsyetimet për refuzimin e Pacollit
Autoritetet serbe ia lanë Aleksander Vulinit ta kumtojë lajmin se Serbia ia ndalon hyrjen zëvendëskryeministrit të Kosovës Behgjet Pacolli.
Në këtë mënyrë, Ministri serb i Mbrojtjes pati mundësinë që t’i ‘revanshohet’ autoriteteve kosovare që zakonisht nuk e lënë të hyjë në Kosovë, e të cilin në vitin 2012 edhe e kishin deportuar në Serbi pasi nuk pati respektuar agjendën e miratuar nga Kosova. Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksander Vulin, i është ndaluar hyrja në Kosovë disa herë, për shkak të deklaratave e tij nacionaliste. E, sot, Vulin ishte nga zyrtarët e parë të shtetit që foli për refuzimin e kërkesës së Pacollit që të hynte në Serbi, pasi boshnjakët e Sanxhakut e kishin ftuar për vizitë në Novi Pazar. Vulin dha edhe arsyet e ndalesës së Pacollit. Ai tha se Serbia nuk e miratoi këtë kërkesë pasi e konsideron si të paligjshme vizitën e tij. “Çdo përpjekje e tij për të ardhur në Novi Pazar do të ishte ilegale dhe dihet se si veprohet me ata që përpiqen ilegalisht të hyjnë në territorin e një vendi të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran siç është Serbia”, ka thënë Vulin. Hera e fundit kur Ministri serb i Mbrojtjes u ndalua në Kosovë ishte në qershor për manifestimin serb të Vidovdanit. Edhe kur u arrestua drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, në mars të këtij viti në veri të Mitrovicës, Vulin bënte pjesë në grupin e zyrtarëve të lartë serbë që nuk kishin leje të hynin në Kosovë për shkak të deklaratave nacionaliste.