Sot Kosova i jep lamtumirën Adem Demaçit
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i79794-sot_kosova_i_jep_lamtumirën_adem_demaçit
Kosova po jep sot lamtumirën veprimtarit të njohur politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, i cili vdiq të enjten në Prishtinë në moshën 82 vjeçare.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Korrik 28, 2018 07:31 Europe/Tirane
  • Sot Kosova i jep lamtumirën Adem Demaçit

Kosova po jep sot lamtumirën veprimtarit të njohur politik dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Adem Demaçi, i cili vdiq të enjten në Prishtinë në moshën 82 vjeçare.

Në ceremoninë komemorative, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve nga Kosova, Shqipëria, Maqedoni e vendet e tjera, vepra dhe puna e Demaçit është vlerësuar shumë lartë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha para të pranishmëve se Damaçi ishte një kolos që u flijua gjithë jetën për shqiptarët. Ai tha se Demaçi ideal jetësore e kishe bashkimin e shqiptarëve.

"Kombi shqiptar po ndahet nga Adem Demaçi, një kolos që u mohua tërë jetën për qëllimin madhor lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e shqiptarëve", tha Thaçi.

Ai tha se sot bota po ndahet nga "Mandela i Evropës". Sipas tij, Demaçi ishte një burrë ku i flijoi 28 vitet në burgje pa u mposhtur asnjëherë.

"Rini, shpirtin e talentuar e plot dhunti, dhe moshën e burrërisë Adem Demaçi i flijoi 28 vite në burgjet jugosllave, pa u thyer e pa u mposhtur ndonjëherë", tha Thaçi.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në ceremoni tha se veprimtarin Adem Demaçi, qëndroi, luftoi dhe fitoi, duke u bërë shembull për të gjithë shqiptarët.

"Jeta jote ishte luftë dhe këtë luftë e fitove, duke u berë për gjithë shqiptarët modeli dhe shembulli i përkushtimit për atdheun i sakrificës dhe dashurisë për të i vetmohimit dhe dedikimit me gjithçka e pa cak për lirinë e popullit. I dashur baca Adem, jeta jote ishe luftë dhe ti këtë luftë e fitove. Jeta jote ishte sakrificë pa mbarim, po ti ja dole t'i përballosh e sfidosh ato si rrallë me urti e fisnikëri", tha Meta.

Pas kësaj ceremonie në orën 11:00, kortezhi do të niset në sheshin “Ibrahim Rugova”, rruga “Agim Ramadani”, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve, ku do të varroset Demaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, të shpallë tri ditë zie në Kosovë. [27,28,29 korrik]

Në mbledhjen komemorative që u mbajt të premten në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e shtetit thanë se Demaçi ishte ndër figurat më të mëdha të 100 vjetëve të fundit.

Demaçi, veprimtar politik dhe mbrojtës i të drejtave të njeriut, njihet si simbol i rezistencën në Kosovë për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Për shkak të pikëpamjeve të tij politike, ai kishte vuajtur një dënim prej 28 vitesh në burgjet e ish-Jugosllavisë e më pas të Serbisë, andaj edhe shpesh është quajtur edhe si “Mandella i Ballkanit”.

Në fjalimet e liderëve politik, Demaçi u cilësua si hero jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve.(REL)