Opozita i shmanget përfshirjes në dialog
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i79809-opozita_i_shmanget_përfshirjes_në_dialog
Përderisa Kosova gjendet në prag të fazës finale të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, spektri politik në Kosovë ende mbetet i ndarë lidhur me qasjen që vendi duhet ta ketë në këtë dialog.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Korrik 28, 2018 14:49 Europe/Tirane
  • Opozita i shmanget përfshirjes në dialog

Përderisa Kosova gjendet në prag të fazës finale të dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, spektri politik në Kosovë ende mbetet i ndarë lidhur me qasjen që vendi duhet ta ketë në këtë dialog.

Partitë opozitare, të cilat në vazhdimësi kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë rolin udhëheqës të presidenti Hashim Thaçi në finalen e procesit të dialogut, kanë dhënë propozime të ndryshme, të cilat sipas tyre do të çonin drejt një uniteti të spektrit politik karshi dialogut. Politologu Ramush Tahiri, thotë për mediat se secila iniciativë, nëse ekziston vullneti i mirë politik, mund të sjellë unitetin e spektrit politik. Por, sipas tij, tash për tash situata duket e paqëndrueshme, sepse raporti i forcave dhe pritjet e secilës parti parlamentare janë të ndryshme. Siç thotë ai, kjo është edhe arsyeja e nismave të partive politike.“Tash ne kemi disa iniciativa që po dalin në Kuvend dhe në tryezat e partive politike dhe të cilat thërrasin për një unitet. Kemi edhe një platformë edhe nga kryetari i Kuvendit (Kadri Veseli) që të arrihet një unitet. Mirëpo, interesat janë të tilla që nuk po lejojnë hapa praktikë. Gjithashtu, kam përshtypjen, sikur po i frikohen marrjes së përgjegjësisë në këto momente, kur duhet të arrihet një lloj marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë dhe kur vendi duhet t’i plotësojë disa kushte dhe kritere që kërkohen nga Bashkimi Evropian”, theksoi Tahiri. Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thekson se qasja e partive opozitare ndaj çështjes së dialogut është problematike, për shkak se secila prej tri partive opozitare kanë qasje të ndryshme. Sipas tij, përderisa tashmë është e dukshme situata në të cilën partitë opozitare nuk pajtohen me partitë në pushtet, në anën tjetër, brenda vet opozitës, situata është e paqartë.