Përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me bisedimet me Serbinë
Në Forumin Evropian Alpbach, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është e vendosur që të arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë.
Sipas tij, tani është koha që të arrihet një gjë e tillë, por shtoi se për këtë gjë, duhet ndihma e të gjithëve. Thaçi foli edhe për idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë, në mënyrë që të arrihet marrëveshja finale. “Ne jemi të vendosur të eksplorojmë çdo opsion, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje”, tha Thaçi. Sipas tij, vendet e rajonit nuk duhet të kenë frikë nga korrigjimi eventual i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. “Vendet e rajonit dhe në BE nuk duhet të jenë kundër ose të kenë frikë nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, nëse kjo do të thoshte edhe korrigjim të kufirit. Kjo nuk do të bëhet në linja etnike. Kosova do të jetë një shoqëri multietnike”, u shpreh ndër të tjera presidenti i Kosovës. Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se serbët dhe shqiptarët, duhet të flasin me njëri-tjetrin për të zgjidhur problemet, që sipas tij, datojnë për 200 vjet.Vuçiç tha se kundër tij janë edhe Kisha Ortodokse dhe armiqtë e tij politikë. “Unë nuk e dua Thaçin, por ne duhet të flasim me njëri-tjetrin. Ne duhet të mundohemt’i zgjidhim problemet që janë duke zgjatur jo që dy vjet, jo që 20 vjet, po që 200 vjet”, tha Vuçiç. Duke folur për idenë e korrigjimit të kufijve, Vuçiç tha se “askush nuk e di ku janë kufijtë tanë”. “Unë do të them një gjë, Hashimi do të thotë një gjë tjetër”, u shpreh Vuçiç./ oranews.tv