Kuvendi nis debatin për transformimin e FSK-së
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i82137-kuvendi_nis_debatin_për_transformimin_e_fsk_së
Janë tri projektligje të propozuara nga Qeveria e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat po shqyrtohen nga ligjvënësit në kuvend.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Tetor 18, 2018 09:04 Europe/Tirane
  • Kuvendi nis debatin për transformimin e FSK-së

Janë tri projektligje të propozuara nga Qeveria e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat po shqyrtohen nga ligjvënësit në kuvend.

Përmes këtyre tri projektligjeve, po synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Shumica e deputetëve po e trajtojnë këtë transformim si hap përpara drejtë formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në rend dite janë shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha prezantoi fillimisht Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për të cilin tha se hartimi dhe procedimi është mbështetur në normat kushtetuese në mënyrë që të mundësohet riorganizimi dhe kalimi nga Ministria e FSK-së në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministria e Mbrojtjes do të harton dhe zbaton politikat e përgjithshme shtetërore të mbrojtjes në nivel strategjik si dhe do të ushtron funksionet dhe kompetencat e saj në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha ministri Berisha.

Paraprakisht, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria e Kosovës e mirëpret shqyrtimin në lexim të parë të ligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq gjatë debatit parlamentar, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se angazhimi i Kosovës për mandat të ri për FSK-në, nuk është kërkesë që tejkalon atë që tashmë vendet e rajonit e kanë, përkatësisht ushtrinë. Ai i quajti të pabaza deklaratat në Beograd kundër ushtrisë së Kosovës.

“Vetëm ata që janë kundër NATO-s, janë kundër mandatit të ri të FSK-së dhe vetëm ata që janë kundër interesave euro atlantike në Kosovë e rajon janë kundër që shteti i Kosovës ta ketë ushtrinë. Vetëm ata që promovojnë interesa tjera në Ballkan, si ato të federatës ruse apo të ngjashme, janë kundër ushtrisë së Kosovës”, deklaroi Hoti.

Transformimin e FSK-së e kanë mbështetur edhe Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate si dhe partitë e komuniteteve joserbe.

Kurse Lista Serbe ka kundërshtuar projektligjet për FSK-në dhe në shenjë proteste ka lëshuar seancën. Por, paraprakisht, deputeti Igor Simiq nga kjo Listë tha se ky transformim është në kundërshtim me Rezolutën 12 44 të Këshilllit të Sigurimit dhe akteve tjera ndërkombëtare.

“Këto ligje nuk janë kundër serbëve, por edhe kundër shqiptarëve”, tha Simiq, duke thënë se shpenzimet janë aq të mëdha sa do të rëndojnë edhe më shumë ekonominë e pazhvilluar të Kosovës.

Duke iu referuar debateve dhe procesit të transformimin e FSK-së, Aleanca Veriatlantike ka potencuar se nëse mandati i Forcës së Sigurisë së Kosovës zgjerohet, Këshilli Veri-Atlantik do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit në Kosovë.

"Çdo ndryshim në strukturë, mandat apo mision të Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të vendoset nga autoritetet e Kosovës. NATO e mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës me mandatin e tanishëm", tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Debati për transformimin e FSK-së përmes miratimit të tri ligjeve përkatëse po vazhdon. Ky është vetëm shqyrtimi i parë, kurse javë më pas, pritet që të procedohet edhe shqyrtimi i dytë për miratimin e tyre final, para se të mund të nënshkruhen nga presidenti dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.(REL)