Haradinaj takoi kancelarin austriak Kurz dhe kryeministrin malazez Markoviq
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i82345-haradinaj_takoi_kancelarin_austriak_kurz_dhe_kryeministrin_malazez_markoviq
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një takim të përbashkët me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.
(last modified 2026-06-18T18:22:28+00:00 )
Tetor 25, 2018 09:51 Europe/Tirane
  • Haradinaj takoi kancelarin austriak Kurz dhe kryeministrin malazez Markoviq

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, zhvilloi një takim të përbashkët me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Takimi u zhvillua në Budvë të Malit të Zi, në margjina të Konferencës për Ekonomi, në kuadër të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas një komunikate për media, të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, në takim u bisedua për bashkëpunimin dhe integrimet rajonale, për të cilat Haradinaj shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të jetë kontribuese në këtë rrugë.

Haradinaj po ashtu njoftoi kancelarin Kurz dhe kryeministrin Markoviq për "zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, përkushtimin e institucioneve në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe agjendën e reformave evropiane".

Haradinaj vlerësoi edhe, siç tha, raportet e mira të Kosovës me të gjitha vendet e rajonit, si dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës në dialogun me Serbinë për të arritur një marrëveshje ligjërisht obligative, e cila, sipas tij, do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe më gjerë.