Projektligji për dialogun nuk i përmbush kërkesat e opozitës
(last modified Wed, 26 Dec 2018 07:09:27 GMT )
Dhjetor 26, 2018 08:09 Europe/Tirane
  • Projektligji për dialogun nuk i përmbush kërkesat e opozitës

Qeveria e Kosovës pasi ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, e ka proceduar atë në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Me Ligjin për dialogun përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse, derisa thuhet se rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë. Edhe ky projektligj si i gjithë procesi, kundërshtohet nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja, Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se në formën se si është duke u punuar nga Qeveria dhe partitë në pushtet nuk mund të krijohet uniteti për dialog as e as të miratohet ligj. “Në këtë formë nuk mund të krijohet uniteti për dialog e as duke bërë ligj, prandaj unë konsideroj se ne duhet të kërkojmë zgjedhje dhe duhet të marrim besimin te qytetaret e vendit dhe t’i marrim përgjegjësitë. Qasja se si ka shkuar deri tash dialogu ku nuk kishte fare transparencë, ne normal që jemi të shqetësuar”, tha Gaxherri. Sipas Gaxherrit, për çështjen e dialogut nuk duhet të nxitohet, ngase ka të bëjë me interesat e vendit. Deputetja Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk mund të thuhet se pjesë e grupit negociator është edhe një parti politike opozitare derisa në atë grup, siç tha ajo, nuk janë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. “Të gjitha këto janë hipokrizi, manipulime dhe mashtrime që po u bëhen qytetarëve. Siç duket ky subjekt politik që po tenton ta legjitimojë Hashim Thaçin e ka qëllimin që të bëjë gjithçka vetëm që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por unë mendoj se kjo është qasje jashtëzakonisht e dëmshme”, tha Haxhiu. Ndryshe, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje i kanë shkruar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisionarit për Zgjerim, Johannes Hahn, përmes së cilës theksojnë se ekipi negociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë nuk e ka mbështetjen e shumicës së opozitës në Kosovës.