Kush do të dalë fitues nga marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë?
(last modified Sat, 02 Feb 2019 22:17:47 GMT )
Shkurt 02, 2019 23:17 Europe/Tirane
  • Kush do të dalë fitues nga marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë?

Shumëkujt i kujtohet se vendet anëtare të Grupit të Kontaktit për Kosovën në fund të vitit 2005 ishin dakorduar se nuk do të ketë copëtim të territorit të Kosovës, nuk do të ketë kthim të gjendjes siç ka qenë në vitin 1999 dhe nuk do të ketë bashkim të Kosovës me asnjë vend tjetër. Kohëve të fundit, situata ka ndryshuar pothuajse rrënjësisht dhe ka rënë poshtë dakordimi i Grupit të Kontaktit për Kosovën,

duke u plasuar në publik ide rreth “shkëmbimit” përkatësisht “korrigjimit” të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë dhe padyshim se ide të tilla janë në kundërshtim me parimet e lartpërmendura.

Kush mund t’i ketë kontribuar këtij ndryshimi?

Padyshim se që nga viti 2005 e deri më tani janë zhvilluar situata të ndryshme globale, të cilat kanë ndikuar direkt edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor e sidomos në kontestimet reciproke që kanë Serbia dhe Kosova. Një ndër këto situata është pushtimi i Osetisë Jugore, Abkhazisë dhe Krimesë nga Rusia, pastaj kërcënimet e pandërprera të Republikës Serbe për tu ndarë nga Bosnja, ardhja e Donald Trump në krye të SHBA dhe çarjet brenda BE. Pavarësisht zotimeve të Bashkimit Evropian gjatë kohëve të fundit se është shënuar progres në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, situata në terren dëshmon se më shumë janë bërë hapa prapa sesa që janë bërë përpara. Për të vështirësuar edhe më shumë këtë situatë, Rusia tenton që të bëhet pjesë e dialogut të drejtuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në rast se SHBA do të jetë pjesë e procesit të negociatave. Ky rast padyshim se nuk do të jetë i volitshëm për palën kosovare, duke pasur parasysh edhe fuqinë e vetos ruse në KS të OKB, sepse pa një miratim të këtij Këshilli, çdo marrëveshje e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do të kishte efektin e duhur.

Disa lëvizje që dëshmojnë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Një nga rastet që lidhet me zgjidhjen e problemeve në nivel global është ai i fundit në IRJM që tani më ky vend  ka marë emrin zyrtar Maqedonia Veriore. Ishte një problem që zgjati me dekada midis Greqisë dhe Maqedonisë e që në fund pas shumë taktizimeve dhe eksperimenteve politike brenda Maqedonisë, të dyja palët arritën marrëveshje për ndryshimin e emrit të këtij vendi, që ishte një kërkesë e kamotshme e Greqisë. Në këtë rast, Maqedonia u detyrua të lëshojë pe karshi Greqisë, në këmbim të premtimeve që ju bënë për anëtarësim në NATO dhe BE, ndërsa akoma nuk dihet pozicioni real i Rusisë në këtë marrëveshje, duke pasur parasysh se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO nuk është aspak në interes të Federatës Ruse. Tani shtrohet pyetja se, a do të arrijnë Kosova dhe Serbia të merren vesh pas shumë vitesh dialog mes veti? Kjo padyshim se është një pyetje, përgjigjen e së cilës për momentin e dinë shumë pak njerëz apo faktorë, sepse për momentin dialogu midis dy palëve ka ngecur pas vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nga ana e Kosovës dhe pikërisht kjo gjë ka shkaktuar irritimin e Serbisë, e cila me ngulm kërkon heqjen e kësaj tarife për vazhdimin e dialogut, ndërsa Kosova e përdorë atë si mjet presioni ndaj Serbisë për njohjen e shtetit të Kosovës. Si duket taksa “100 %” nuk e ka irrituar vetëm Serbinë por edhe BE, ndërsa SHBA (si garantues kryesor i krijimit të shtetit të Kosovës) ka një qëndrim jo të qartë karshi këtij veprimi të Kosovës, edhe pse në disa raste zyrtarët amerikanë kërkojnë heqjen e taksës, ndërsa brenda opinionit serb ekziston një dyshim se kjo është një lojë të cilën e luan Amerika.

Sipas pretendimeve të akterëve kryesorë të dialogut, si do të jetë marrëveshja?

Si duket arritja e një marrëveshje përfundimtare është duke u shtyrë nga dy liderët kryesorë të Kosovës dhe Serbisë. Presidentët Thaci dhe Vucic shpesh janë shfaqur së bashku nëpër disa konferenca rajonale e ndërkombëtare, por edhe pse në deklaratat e tyre ata kanë shfaqur qasje jo të njëjta, por në thelb mund të kuptohej se që të dy janë ithtarë të arritjes së një marrëveshje dhe zgjidhjes afatgjate të problemeve midis dy vendeve. Para disa ditëve nëpër media ka qarkulluar një projektmarrëveshje sesi mund të duken kufijtë midis dy vendeve, ku shihet qartë një ndryshim i kufijve e jo korrigjim siç është pretenduar nga presidenti i Kosovës dhe një ndërhyrje ndërkombëtare në shumicën e territoreve të Kosovës e më pak të Serbisë. Për momentin, duke pasur parasysh të gjitha paraqitjet publike të protagonistëve kryesorë të kësaj çështjeje, mund të shihet se ekzistojnë dy mundësi, e para, mund të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare midis Kosovës dhe Serbisë me garancinë e fuqive të mëdha dhe mundësia e dytë është vazhdimi i status quo-s dhe i konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë në kohë të pacaktuar dhe kjo mundësi mund të ndodh në rast se Rusia ka pretendime që, nëpërmjet Serbisë të jetë e pranishme në Ballkan apo në Evropë dhe do t’i ofronte Serbisë garanci afatgjate për mos cenimin e territorit të saj. Një gjë e tillë natyrisht se do të ishte shumë e vështirë për Serbinë, duke pasur parasysh se në këtë vend jetojnë pakica të shumta që kanë një gjeostrategji dhe gjeopolitikë shumë të favorshme për krijimin e konflikteve në të ardhmen.