Përfaqësuesit e Luginës presin të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i85470-përfaqësuesit_e_luginës_presin_të_jenë_pjesë_e_dialogut_kosovë_serbi
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të komunave në jug të Serbisë Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që në terminologjinë politike njihen edhe si Lugina e Preshevës, thonë se po presin që Prishtina të reflektojë pozitivisht për përfshirjen e kërkesave të tyre në dialogun e Brukselit.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shkurt 06, 2019 15:46 Europe/Tirane
  • Përfaqësuesit e Luginës presin të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të komunave në jug të Serbisë Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, që në terminologjinë politike njihen edhe si Lugina e Preshevës, thonë se po presin që Prishtina të reflektojë pozitivisht për përfshirjen e kërkesave të tyre në dialogun e Brukselit.

Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, tha se aktualisht po punohet që çështja e Luginës së Preshevës të jetë në agjendën e bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se deri më tani nuk ka ndonjë ftesë nga Prishtina zyrtare që ndonjëri nga përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës të jetë pjesë e Ekipit negociator të Kosovës. Unë besoj se edhe pse nuk jemi pjesë e Ekipit negociatar do të kemi mundësi që bashkë me ekipin e presidentit (Hashim Thaçi) dhe delegacionin shtetëror, t’i shprehim brengat dhe interesat tona, të cilat do të adresohen në Bruksel. Besojmë se është momenti i fundit që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet dhe të gjendet një zgjidhje e drejtë”, tha Kamberi. Ai konsideron se në asnjë rast nuk mund të ketë një marrëveshje të drejtë nëse nuk trajtohet edhe çështja Luginës së Preshevës, e cila, siç thotë ai, mund të mbetet një burim i tensioneve të vazhdueshme mes dy shteteve. “Ne jemi deklaruar shumë qartë se nëse Kosova vendosë që në marrëveshje me Serbinë të shqyrtohet edhe mundësia e korrigjimit të kufirit, interesi ynë është që ne të bashkohemi me Kosovën. Në të kundërtën, nëse Kosova si prioritet sheh diçka tjetër, atëherë minimumi që duhet të bëjë Kosova, është që të vendosë reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse nuk mund të këtë në asnjë moment marrëveshje që sjell stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor nëse edhe Lugina e Preshevës nuk trajtohet në këto bisedime”, tha Kamberi. Përfshirja e komunave, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në kuadër të territorit të Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është përmendur në disa raste nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, marrëveshja gjithëpërfshirëse, duhet të ketë edhe mundësinë e korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ide kjo që deri më tani nuk ka gjetur mbështetje në spektrin politik në Kosovë.