Vuçiç, serbëve të Kosovës: Duroni edhe 45 ditë
Serbët e Kosovës do të bojkotojnë të gjitha institucionet kosovare në rast se nuk shfuqizohet taksa 100%.
Këtë paralajmërim e ka bërë presidenti Vuçiç, i cili pas një takimi me komunitetin serb, deklaroi se i ka kërkuar atyre që të presin të paktën 45 ditë. Lideri i Beogradit tha se ky afat do t’i shërbejë atij që të njohë liderët europianë dhe botërorë me situatën. Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar se do të tërhiqen nga institucionet në rast se Prishtina zyrtare nuk do të heqë taksën 100%. Diçka e tillë i është komunikuar Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një takimi që ky i fundit ka zhvilluar me 130 përfaqësues të komunitetit serb nga veriu i Kosovës. Delegatët kanë kërkuar tërheqjen e menjëhershme, por nga ajo që komunikon Vuçiç, thuhet se ai i ka qetësuar duke kërkuar që të presin për një afat 45 ditor dhe më pas të veprojnë. Presidenti i Serbisë theksoi se përgjatë kësaj kohe do të takohet me Presidentin e Kinës për t’u këshilluar, si dhe do të mundohet të bisedojë me liderët europianë mbi këtë çështje. Aleksandër Vuçiç tha: Serbët më kanë kërkuar që unë si President të flas me qeverinë dhe të kërkoj tërheqjen nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë lënien e parlamentit, të këshillave bashkiakë, policisë rajonale si dhe zyrave të sistemit gjyqësor si prokuroritë apo gjykatat. Gjithsesi, unë i kërkova atyre që të mos reagojnë për të paktën 45 ditë, pasi unë do të takoj Presidentin e Kinës si dhe do të flas me liderët kryesore europianë për këtë çështje. Nëse nuk ka reagim nga Prishtina, ne do të dëgjojmë kërkesën e tyre. Vuçiç ndërkaq do të jetë në Medvegjë ditën e enjte, nga ku pritet të japë detaje në lidhje me bashkimin e përfolur të këtij rajoni me Kosovën, si pjesë e një bashkimi duke përfshirë Preshevën dhe Bujanocin.