Serbia nuk ka bazë për ta dërguar Kosovën në arbitrazh
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministres serbe, Ana Brnabiq, e cila tha se do ta dërgojnë Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Shala përmes postimit të tij në rrjetin social Facebook, theksoi se Serbia nuk ka bazë për ta dërguar Kosovën në arbitrazh. Ai gjithashtu potencoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% për të gjitha produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja është marrë duke u bazuar në faktin se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes Kosovës dhe dy vendeve kanë qenë dhe janë thellësisht asimetrike. Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e masës 100% për të gjitha produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina është marrë duke u bazuar në faktin se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Republikës së Kosovës dhe këtyre dy shteteve që kanë qenë dhe janë thellësisht asimetrike, situatë kjo e cila vetëm sa ka evoluar për shkak të problemeve politike të shkaktuara nga këto dy vende e të cilat kanë ndikuar seriozisht dhe e kanë dëmtuar Republikën e Kosovës dhe ekonominë e saj. Këto dy vende në mënyrë konstante kanë vendosur barriera të pajustifikueshme ndaj tregtisë dhe ekonomisë së Kosovës në kundërshtim me objektivat e Marrëveshjes së CEFTA-së, respektivisht neni 1 dhe neni 13 mbi barrierat teknike në tregti. Duke u bazuar në faktet e përmendura më lartë dhe duke marrë shkas nga raportimet e mediave sot se Kryeministrja e Serbisë paralajmëron dërgimin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit për vendosjen e masës 100%, qëndrimi zyrtar i MTI është se ky veprim nuk mund të bëhet nga ana e Serbisë pasi që nuk është përmbushur neni 42 paragrafi 2 i marrëveshjes së CEFTA-së. Njëkohësisht me një veprim të tillë, ku Serbia do të tentonte ta dërgoj Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit do të nënkuptonte se në një mënyrë Serbia do ta njihte Republikën e Kosovës.