Festa e Fitër Bajramit, urime!
(last modified Tue, 04 Jun 2019 09:21:15 GMT )
Qershor 04, 2019 11:21 Europe/Tirane
  • Festa e Fitër Bajramit, urime!

Mëngjesi i së martës, mblodhi mijëra besimtarë mysliman në sheshin "Skënderbej" për të falur namazin e ditës së Bajramit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u lut që Zoti në këtë festë ta begatojë dhe ta mbushë me mirësi dhe paqe vendin tonë.

“Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë. Le të heshtim në vend të fjalës së keqe, e kur të flasim, të flasim bukur”, u shpreh Spahiu.

Të rrethuar nga një atmosferë e ngrohtë besimi e vëllazërie, pjesëmarrësit e shumtë janë përshëndetur dhe kanë ndarë me njëri-tjetrin gëzimin dhe emocionet e kësaj dite të madhe paqeje, mirësie e shpërblimi.

Pjesëmarrja e jashtëzakonshme bëri që sheshi të mos ishte I mjaftueshëm.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të besimeve të tjera fetare, vuri dhe një herë në pah, frymën e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës fetare që ekziston në vend.

Për Myftiun e Tiranës Ylli Gurra kjo ditë ishte një këshillë e fortë për politikën për të rritur bashkëpunimin dhe për të marrë seriozisht udhëheqjen e vendit.

Ylli Gurra: Shqiptarët që ishin sot në shesh janë dëshmia e asaj që janë të gatshëm, të pakursyer për gjithçka që duhet investuar, biseduar dhe punuar në të mirën e shqiptarëve. Shqipëria duhet të jetë e para, pastaj duhet të vijnë të tjerat.

Besimtarë të shumtë rrëfyen dhe nisjen e lidhjes së tyre me besimin.

"Kam agjëruar që në moshën 6 vjeç" thotë një besimtare

Ndërsa ajo që vihet re është dhe trashëgimi i besimit nga një brez në tjetrin.

"Nipi im falet, ky ka shkuar në xhami që i vogël" thotë një besimtar tjetër.

Politika ka uruar të gjithë besimtarët për festën e Fitër Bajramit. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale, duke postuar një foto me pamje nga xhamia.

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me rastin e  festës së Bajramit të Madh, u dërgoi një mesazh urimi besimtarëve myslimanë.

"Sot, kur shoqëria shqiptare është kthyer përfundimisht me mendje e shpirt drejt familjes europiane, është dita të kujtojmë se asnjë virtyt mysliman nuk vjen kundër vlerave europiane, qytetëruese e perëndimore. Shqipëria do t’i bashkohet familjes evropiane me të gjithë bukurinë, pasurinë dhe ndriçimin që buron nga mozaiku dhe diversiteti ynë fetar".

Edhe kreu i PD, Lulzim Basha zgjidhi rrjtet sociale për të uruar besimtarët: Të nderuar besimtarë e veçanërisht ju që keni agjëruar në muajin e shenjtë të Ramazanit, ju uroj nga zemra Gëzuar Fiter Bajramin!  Zoti e pranoftë sakrificën dhe lutjet tuaja, sjelltë mbarësi për ju e familjet tuaja dhe e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga Myftiu Naim Tërnava.

Me këtë rast presidenti ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

“Dëshiroj që të gjithë qytetarëve të ju urojë Fitër Bajramin. Ishte një muaj i shenjtë i agjërimit, solidariteti, mirëkuptimit, paqes, i afrimit të njerëzve më tepër me njëri-tjetrin.

Kemi pas rastin që edhe me myftiun dhe imamët të jemi së bashku në shumë iftare anë e mbanë Kosovës, prandaj kudo shihet mirëkuptim, solidaritet ,dashuri dhe respekt mes njerëzve”, ka thënë Thaçi.

Presidenti ka shtuar se sot ndodhet këtu që t’ju urojë të gjithëve festën e Bajramit.

“Sot jemi këtu të urojmë Bashkësinë Islame, të urojmë gjithë njerëzit për agjërimin e tyre por mbi të gjitha për festën e Fitër Bajramit.”, u shpreh Thaçi. 

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me rastin e festës së Fitër Bajramit, ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës.

Haradinaj tha se detyrë e institucioneve është që të mundësojnë lirinë e besimit.

"E kam nderin edhe në emër të Qeverisë të uroj Myftiun Tërnava, por edhe të gjithë besimtarët e Kosovës, të gjithë ata që e festojnë. E vërtetë është se gjatë muajit të Ramazanit kemi pasur rastin të jemi bashkë. Detyra jonë është me e mundësu lirinë e besimit që e jep e drejta e Kushtetutës", tha ai.

Tags