Vulin krahason Kosovën me ISIS-in
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, e krahasoi Kosovën me ISIS, në një intervistë, për Radio Televizionin e Serbisë.
“Kur një shtet i fuqishëm, siç është Franca, ju lejon të blini armët më moderne, kjo do të thotë se ai ka besim te ju. Sisteme të tilla nuk mund t’i gjeni te terroristët në ISIS. Ndërsa, ISIS është më i afërt me atë që bën Prishtina. Kur thua Prishtina dhe Beogradi – kjo është si krahasimi i ISIS me Bashkimin Europian”, tha Vulin. Zyrtari serb e ka tërhequr më parë vëmendjen e publikut me deklarata jokorrekte, për Kosovën dhe shqiptarët atje, aq sa kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ngriti në 25 qershor një padi kundër për gjuhë të urrejtjes. Deklarata e Vulin erdhi në kohën kur Këshilltari Amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, u shpreh se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizin përpara dhe se është “koha që të dyja palët të veprojnë menjëherë”. Këto komente ai i bëri në “twitter”, pas takimit me Ministrin e Jashtëm serb. “U pajtuam se bisedimet me Kosovën duhet të lëvizin përpara meqë asnjëra palë nuk fiton nga ‘status-quoja’. Koha për të vepruar për të dyja palët është tani”, ka shkruar Bolton.