Përplasje tregtare Kosovë- Maqedoni e Veriut
Kosova dhe Maqedonia e Veriut po shkallëzojnë më tej përplasjet tregtare duke aplikuar masa reciproke. Prishtina zyrtare njofton se mjalti dhe patatet me origjinë maqedonase nuk do të lejohen të hyjnë në vend pa u zgjidhur situata me barrierat tarifore që autoritetet e Shkupit aplikojnë ndaj Kosovës.
Prishtina ka ngritur barriera tregtare ndaj Shkupit, duke ndalur eksportet e produkteve mjaltë natyral dhe patate me origjinë maqedonase në vend. Ministri i Kosovës për Tregtinë dhe Industrinë, Endrit Shala, informoi të premten se vendimi është marrë pasi Maqedonia e Veriut në muajin qershor ndaloi importin e konservave të peshkut nga Kosova me arsyetimin se nuk përmbushnin kriteret vendore të cilësisë. Shala tha se këtë shqetësim e kishte ngritur edhe me sekretariatin e CEFTA-s, që garanton marrëveshjen për tregti të lirë në rajon. "Tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nuk kemi asnjë përgjigje. Ndaj sot kam vendosur për masa reciproke për importet në Kosovë dhe të ndaloj hyrjen e disa produkteve derisa shteti maqedonas të reflektojë dhe të trajtojë barabar produktet tona" theksoi ai. Ministri paralajmëroi se ky trajtim i barabartë do të kërkohet edhe nga shtetet e tjera të rajonit, në të kundërt politika e reciprocitetit do të zbatohet pa dallim. Statistikat zyrtare tregojnë se në muajin qershor, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin dy importuesit kryesorë të produkteve kosovare me 17,2 dhe 10,7 për qind të totalit. Maqedonia e Veriut, ndërkohë, ishte importuesja më e madhe me 7,3% të totalit, e ndjekur nga Shqipëria dhe Serbia me 6,5 dhe 0,9 për qind të totalit.