Tetor 05, 2019 16:25 Europe/Tirane
  • Sami Frashëri / V E P R A   9  (Pjesa e pestë)

Titulli i origjinalit:Ch. Samy-Bey FrascheryKÂMÛS AL-A’LÂMShënimKëtë vepër e botojmë me numrin rendor 9 për ta ruajtur vazhdimsinë e veprave të Sami Frashërit të botuara në Shtëpinë botuese Rilindja në Prishtinë.E falënderojmë përzemërisht Redaksinë e botimeve të Rilindjes për pëlqimin e dhënë dhe për mirëkuptim nga botuesi.

PLASALI ISMAIL PASHA 

Është një nga vezirët e një familje të lashtë vezirësh të fshatit Plasa që ndodhet në periferi të kasabasë së Korçës në Shqipëri. Gjatë kohës së sulltanatit të Sulltan Abdylmexhidit shumë herë ka qenë vali nëpër vilajete të ndryshme. Vdiq në fund të periudhës së Sulltan Abdylmexhidit. Familja e katundit Plasa është një familje shumë e vjetër derebejësh. Emri Plasa është fjalë shqipe që do të thotë “saraj” (pallat), prandaj, fshati, për shkak të sarajit (pallatit) të veçantë të kësaj familjeje është quajtur me këtë emër. Nga kjo familje rrjedhin një varg vezirësh. Gërmadhat e këtij saraji-pallati shihen edhe sot . (lexo: në kohën e Sami Frashërit – M.P.).

PRISHTINASI MESIHI 

Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Është nga Prishtina. Ishte sekretar i oborrit mbretëror i vezirit Ali Pasha. Pas vdekjes së tij ishte i shtërnguar të kënaqet me një timar të vogël. Vdiq në vitin 918/1510 .Dallohej edhe në kaligrafi (bukurshkrim). Ja një bejt nga ky:Pamja dhe stolisja që bën thika e gdhendjes janë të çmueshmeAshtu siç është pamja e manastirit me statuja dhe ikone .

QEMAL BEU 

Është nga letrarët e famshëm të Perandorisë Osmane. Në të vërtetë, mund të konsiderohet reformator i letërsisë turke dhe themelues i të shkruarit sipas metodës së re. Sado që Shinasiu është ai që para Qemalit e nisi këtë mënyrë të të shkruarit, Qemal beu më tepër e ka gjallëruar dhe ndriçuar këtë metodë të re. Shkrimet letrare sipas metodës së re që i kishte shkruar ishin arsye të çmohen dhe të botohen shpejt. Në këtë mënyrë Qemal Beu shërbeu shumë në përmirësimin e letërsisë turke dhe në përhapjen e një stili natyror dhe të lehtë të të shkruarit.Qemal beu lindi në Stamboll në vitin 1250/1834 . I ati i tij ishte nga Jenishehri , kurse e ëma ishte nga kasabaja e Konicës  të Shqipërisë. Mësimet e para i përvetësoi në mektebet e kohës dhe, pastaj, pasi mësoi gjuhën dhe letërsinë arabe, persiane dhe frënge, një kohë vazhdoi të punojë në institucionet e Portës së Lartë, e pastaj nëpër shtëpitë botuese te posahapura. Me artikujt që i botonte, tërhiqte vemendjen dhe kujdesin e opinionit të përgjithshëm. Më vonë u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit (¼ura-yi Devlet). Pas kësaj u emërua mutesarrif i Sakëzit. Kur  Sakëzi u bë qendër vilajeti, ky u transferua në mutesarrifllëkun e Rodosit. Pastaj, përsëri u kthye në Sakëz. Në vitin 1305/1887 vdiq në ishullin e zënë ngoje nga ndezja e mushkërisë së bardhë. Tyrbja i është ndërtuar në mënyrë të përsosur nga padishahu i tij. Në poezitë dhe në shkrimet e tjera nënshkruhej me pseudonimin Namik .Shkathtësia dhe aftësia më e madhe e tij shihet në artikujt politikë, në vargjet që kanë të bëjnë me çështjen ekonomike, sociale, e sidomos në poezitë e njohura dhe të fuqishme të tij. Kishte dëshirë të shkruajë vepra teatrale dhe tregime. Sado që shkroi disa broshura të tilla, nuk shihet ndonjë shkathtësi e veçantë në këto gjini letrare në krahasim me të tjerat. Janë të njohura veprat e tij në prozë dhe në poezi. Ishte shumë i popullarizuar .

QYPRILI MEHMED PASHA 

Është nga vezirët (ministrat) më të shquar të Perandorisë Osmane që arriti në pozitën e kryeministrit (sadriazem). Është me origjinë shqiptare. Lindi në njërin nga fshatrat e kazasë së Timuricës  të sanxhakut të Beratit. Pasi erdhi në Stamboll dhe pasi hyri në oborrin mbretëror, iu bashkua grupit të posaçëm të gjellëbërësve (Tabahin Hassa Zumresi). Pastaj qe larguar nga kjo organizatë. Duke iu bashkuar Husrev Pashës, dalëngadalë qe bërë haznedar (arkatar) i tij. Në kohën e sadriazemit, Kara Mustafa Pashës, arriti në gradën e mirahorit, e pastaj me dy tuga u emërua vali në ejaletin e Sirisë (Shamit), Kudsit dhe Tripolit. Në vitin 1061/1650 u bë anëtar i kubbe-i vezirit (Këshill i veçantë në pallatin e sulltanit në Perandorinë (Osmane), e pastaj u emërua sanxhak-be i sanxhakut të Qystendilit. Më vonë qe tërhequr në kasabanë e Qyprisë të cilën e kishte zgjedhur për vendbanim të tij. Ibshir Pasha, i cili kishte kaluar në postin e kryeministrit kur u kthye nga Halepi për në Stamboll bëri një lutje – peticion (arzuahal) dhe ia dorëzoi atij sipas të cilit ky (Qyprili Mehmed Pasha – M.P.) për të dytën herë u emërua vezir në ejaletin e Tripolit, mirëpo, para se të arrijë në vendin e punës, ndryshoi disponimi i Ibshir Pashës; e përzuri dhe e ktheu në Qypri. Megjithatë, sipas një lutje me shkrim (arzuhal) që rrodhi nga ai vend e që iu dorëzua Mehmed Pashës të dëgjueshëm (të qetë), më 1066/1655 kaloi në pozita të larta shtetërore dhe përsëri u caktua në ejaletin e Tripolit. Gjersa po përgatitte dhe po rregullonte radhët ushtarake, me rekomandimin e disa qëllimmirëve dhe njerëzve me autoritet të shtetit, iu besua detyra e lartë (sadriazem) . Me fillimin dhe nisjen e reformave themelore, vend të rëndësishëm i dha çështjes ekonomike, rregullimit ushtarak dhe drejtësisë. Kështu shtetit (Osman) ia pat kthyer fuqinë dhe forcën që e gëzonte më parë. Në vitin 1067/1656 i mori përsëri nga duart e armiqve Limnin dhe Bozxha Ada-në , dhe pas një viti e drejtoi ushtrinë për ta nënshtruar popullin e Erdelit i cili ishte bërë i padëgjueshëm. E pushtoi Janovën dhe më 1070/1659 e parë pushtuar kalanë e Varad-it. Më 1072/1661 u sëmur dhe pasi lëngoi nja dy tri muaj, duke i kaluar të tetëdhjetat, vdiq. Është varrosur në oborrin e bibliotekës së tij afër Çemberlitashit. Si sadriazem (kryeministër), në kohën e Sulltan Mehmed Hanit, shërbeu pesë vjet e tre muaj e dhjetë ditë. Rezultatet që i arriti në përforcimin dhe më ngritjen e çështjeve shtetërore në një shkallë më të lartë, janë argumente të qarta që tregojnë për fuqinë dhe mundësinë e tij të jashtëzakonshme. Disa historianë e kritikojnë rigorozitetin e tij që e tregoi gjatë dënimeve, ndonëse edhe ky, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat politike të asaj kohe, mund të falet . Sido që të jetë, për shkak të rezultateve dhe shërbimeve që i bëri në shtet, nuk lejohet të merret nëpër gojë. Në Stamboll, në afërsi të Çemberlitashit ka themeluar medresenë dhe bibliotekën. Edhe në Qypri ka lënë shumë monumente (hajrate) për qëllime bamirëse. Duke u bazuar në shërbimet e shkëlqyeshme të tij, posti i sadriazemit iu besua dhe iu dorëzua djalit të tij Fazil Ahmed Pashës. Në këtë  pozitë  të lartë erdhën edhe disa personalitete nga fëmijët dhe nipërit e tij .

QYPRILI-ZADE (Fazil Ahmet Pasha)

Është nga vezirët i cili në kohën e Sulltan Mehmed Hanit IV kaloi në postin e sadriazemit (kryeministër) .Është djali dhe trashëgimtari i Qyprili Mehmed Pashës, biografia e të cilit u shkrua pak më parë. Lindi në kasabanë e Qyprisë në vitin 1045/1635. Edhe pse i përvetësoi mësimet fetare islame nga Kara Çelebi-zade Abdylaziz efendiu dhe nga dijetarët (ulematë) e tjerë të kohës dhe, edhe pse hyri në kategorinë e muderrizëve, ai kaloi në punët që kishin të bëjnë me çështjet e pushtetit. Kështu, më 1069/1658 me gradë të vezirit u emërua në Erzurum; më 1070/1659 u emërua në vilajetin e Sirisë; më 1071/1660 u kthye në Stamboll dhe u emërua në pozitën e lartë të kajmekamit, e kur u sëmur babai i tij, e zëvendësoi atë. Në 1072/1661 kur i vdiq babai, ndonëse ishte në moshën 27 vjeçare, kaloi në pozitën e kryeministrit. Pas një viti kaloi në kështjellat (kalatë) e Erdelit të austriakëve (d.m.th.në Transilvani). Duke shkuar në ato anë me ushtrinë osmane me gradë serasker (kryekomandant), pas një rrethimi prej 26 ditësh, më 1074/1663 e pushtoi kalanë e Ujvarës. Me këtë arriti një sukses të madh. Kur filloi stina e dimrit, u kthye në kazermat e Beogradit, ku u organizua mirë që në pranverë të ndërmarrë përsëri ndonjë ekspeditë tjetër. Mirëpo, duke u dërguar përfaqësues nga ana e Austrisë, u përkrah marrëveshja paqësore. Pas harmonizimit të qëndrimeve dhe marrëveshjes në dobi të Shtetit Osman, ai u kthye në Edrene. U bë shumë i respektuar dhe shumë i dashur te padishahu i vet. Në vitin 1077/1666 personalisht shkoi në Ujërat e Kretës që gjendej nën rrethimin e Osmanlinjve plot 24 vjet. Në vitin 1080/1669 ia doli t’i nxjerrë dhe t’i largojë plotësisht venedikasit nga siujdhesa dhe, kur e pushtoi tërë Kretën, u kthye  fitimtar në Edrene. Për këtë sukses të madh fitoi komplimente nga Sulltani dhe kështu u bë shumë i famshëm. Kur më 1083/1672 populli kozak që gjendej nën mbrojtjen e Perandorisë Osmane u sulmua nga mbreti i Polonisë , Sulltani i lartpërmendur personalisht ndërmori një ekspeditë me ushtrinë osmane me të cilën shkoi edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu. Në pushtimin e Kamenixhes tregoi guxim të jashtëzakonshëm. Mirëpo, kur e kapën disa sëmundje, më 1087/1676 kthehet në Edrene bashkë me ushtrinë. Nuk kishte fuqi të shkojë me të, prandaj, i përgatitën një përcjellje solemne dhe, duke shkuar pas saj dalngadalë, në afërsi të Xhisrerginesë , në çiflikun Kara-Biber, vdiq. Kufomën ia çuan në Stamboll. E varrosën pranë babait të tij. Vdiq në moshën 42 vjeçare . Në guxim, aftësi dhe shkathtësi  ishte i njëjtë si babai i vet. Dallohej më tepër edhe me dituri, bujari, urtësi, maturi. I urrente dhe nuk i kushtonte rëndësi përhapjes së gjërave jo të rëndësishme. Për të pasuruar edhe më tepër bibliotekën e t’et, grumbulloi një numër të madh librash me vlerë të lartë. Pastaj, ka lënë shumë pasuri të vlefshme (hajrate) si në Stamboll ashtu edhe në Qypri. Kishte edhe talent për poezi . Me rastin e pushtimit të Ujvarës në Hungari, e shkroi edhe këtë varg:Allahu na ndihmoi, e pushtuam Ujvarën .

QYPRILI-ZADE (Mustafa Pasha)

Është nga kryeministrat (sadriazemët) e kohës së Sulltan Sulejmanit të Dytë dhe Sulltan Ahmet Hanit tëDytë. Është djali i Qyprili Mehmed Pashës dhe vëllai i vogël i Fazil Ahmed Pashës, biografia e të cilit u shkrua pak më parë. Lindi në vitin 1046/1637. Studioi shkencat fetare islame. Edhe pse në kohën e babait dhe vëllait të tij ishte i angazhuar thellësisht në studime, Merzifunli Mustafa Pasha , që ishte edukator dhe furnizues i dinastisë së tyre, në vitin 1091/1680, kur ishte në pozita të larta shtetërore (sadriazem), menjëherë e avancoi këtë, biografia e të cilit po shkruhet këtu, në gradën e vezirit. Dhe, në vitin 1095/1683 u caktua vezir në ejaletin e Nigbollit dhe Silistri kurse në Baba-Dagi (Mali Baba) u emërua serdar (kryekomandant ushtarak). Pastaj, u përzu dhe u dëbua. Më vonë u emërua muhafiz i Sakëzit dhe Seddulbahrit, kurse në vitin 1098/1686 me të ardhur në Stambolll qe emëruar kajmekam. Pas ardhjes në fron të Sulltan Sulejman Han-it II, me dredhinë e despotëve u dërgua në Seddulbahër ku qe bërë muhafiz i Kandijes e pastaj i Sakëzit. Në vitin 1101/1689 tërhiqet në Stamboll dhe i dorëzohet myhyri i sadriazemit për çështje të arsimit. Duke ia filluar punës me një seriozitet të madh dhe, pasi vendosi edhe më tepër rregullësi, drejtësi, urtësi, ushtrisë Osmane i dha më shumë fuqi, prandaj u nis për një ekspeditë ushtarake. Kërkoi t’i kthehen Piroti , Beogradi, Vidini, Nishi që kishin rënë në duart e armikut. Pasi vendosi dhe e siguroi mirë qeverisjen Osmane në ato vende, u kthye fitimtar. Kur arriti këtu, dolën të gjithë përnjëherë dhe i bënë pritje madhështore. U angazhua që në pranverë të ndërmarrë gjithsesi një ekspeditë tjetër. Gjatë kësaj kohe erdhi në fron Sulltan Ahmed Hani II. Ky, biografia e të cilit shkruhet këtu, përsëri mbeti në pozitën e kryeministrit. Në pranverën e vitit 1102/1690 me ushtrinë Osmane shkoi në Hungari. Luftoi kundër princit Lui. Sado që në këtë betejë ushtria e tij ngadhnjeu, ky (Qyprili-zade Mustafa Pasha – M.P.) humbi jetën në fushëbetejë duke u qëlluar me plumb. Kufomën ia dërguan në Stamboll. E varrosën pranë babait dhe vëllait. Si kryeministër (sadriazem), në kohën e Sulltan Sulejmanit të dytë dhe Sulltan Ahmedit të dyti, qëndroi rreth dy vjet e dy muaj. Kur u vra ishte në moshën 55 vjeçare. Ishte një personalitet krenar, guximtar, i dijshëm, i drejtë dhe musliman i mirë  mirëpo, për punët diplomatike nuk kishte ndonjë shkathtësi të veçantë .

QYPRILI-ZADE (Numan Pasha)

Është nga vezirët (ministrat) që kaloi në pozitën e sadriazemit në kohën e Sulltan Ahmed Hanit III. Ishte djali i Qyprilizade Mustafa Pashës, biografia e të cilit u shënua pak më parë. Lindi në Stamboll. Pasi i studioi  shkencat fetare islame, në vitin 1112/1700 në kohën e sadriazemit Amixha-zade Hysejn Pashës, i cili ishte djalë i mixhës së tij, ishte në kubbe-i vezir (Këshill i veçantë në pallatin e Sulltanit). Pastaj u caktua muhafiz dhe vali i Erzurumit, Anadollit, Egribozit, Kandijes dhe përsëri Egribozit. Pat lidhur miqësi (me anë martese – M.P.) me Sulltan Mustafa Hanin II. Më 1122/1710 me propozimin e bashkëshortes, transferohet në Stamboll dhe emërohet sadriazem në vend të Çarlili  Ali Pashës. Sado që ishte një personalitet i dijshëm, i sinqert dhe i drejtë, angazhimi i tij në shkencë, ibadet dhe në gjëra të tjera të rëndësishme kryesisht ishte i tërthortë. Meqë nuk ishte aq i interesuar për pozita, pas 63 ditësh u largua nga detyra. Më pastaj, mori pjesë si serasker (kryekomandant ushtarak) në Egriboz, në Hanije, në Kandije në Janinë dhe më 1126/1714 në Mal të Zi. U caktua në detyra të larta edhe në Bosnjë e Hercegovinë, pastaj: në Beograd, Ixhil, Qipro. Në vitin 1129/1716, kur dëgjoi se austriakët kishin për qëllim t’i sulmojnë kufijtë e shtetit Osman, ky (Numan Pasha – M.P.) menjëherë u përgatit kundër tyre. Duke u emëruar për të dytën herë në ejaletin e Bosnjës, me trimat e Bosnjës e shkatërroi ushtrinë e armikut dhe u mori (u konfiskoi) shumë armë, pasuri dhe shumë gjëra të tjera të vlefshme. Pas kësaj u shtuan luftërat në ejaletin e përmendur më lart. Për t’u qetësuar dhe për të pushuar, u shpërngul në muhafezllëkun e Kandijes dhe aty, më 1131/1718, vdiq. Edhe pse (kur vdiq) ende nuk i kishte mbushur të pesëdhjetat, ishte personalitet i formuar dhe i vyeshëm sikur të kishte një përvojë të gjatë .

QYPRILI-ZADE (Abdullah Pasha)

Është djali i Qyprili-zade Mustafa Pashës, biografia e të cilit u shkrua pak më parë. Ishte një personalitet idijshëm, shkrimtar, letrar dhe trim. Ishte serasker (kryekomandant) i ushtrisë Osmane në anët e Tibrizit, në frontin e Iranit që u hap kundër Nadirshahut në kohën e Sulltan Ahmed Hanit III. Gjatë kësaj ekspedite e pushtoi Tibrizin dhe me shahun e sipërpërmendur vendosi të bëjë marrëveshje. Më 1148/1735, përsëri u hap një front i fortë me iranianët. Në këtë luftë të rreptë që ndodhi, ky (Abdullah Pasha – M.P.) u vërsul si lua, por u vra në fushëbetejë. Babai i tij u vra në Hungari dhe djali i tij Abdurrahmani, gjithashtu u vra në Hamadan 9 vjet para tij.Qyprili-zade Abdullah Pasha ka lënë një divan me poezi arabe, si duket, më vonë është botuar në Bejrut .

SA’JI 

Nga poetët e periudhës së hershme të Perandorisë Osmane janë dy personalitete me këtë pseudonim:I pari nga këta është prizrenas. Pasi i përvetësoi dhe i zgjëroi dituritë e veta në kohën e Ebu-l-Fet’h Mehmed Hanit II, u tërhoq në një teqe të qetë në Prizren. Pastaj hartoi një vepër poetike (gazel) për Sulltan Bajazit Hanin i cili e thirri dhe e shpërbleu. Shkroi edhe një libër me titull “Ta’rifat” (Definicione). Ja një bejt nga ky poet:Kur e përshkruaja bukurinë e fytyrës së tij në librin e trimaveMë bënte të qaj idhët dhe më shqetësonte .

SEID PASHA 

Ishte nga valitë e dalluar të vilajetit të Egjiptit. Është djali i të ndjerit Mehmed Ali Pashës. Lindi në vitin 1238/1822. Në vitin 1271/1854, pas Abaz Pashës, u bë vali i Egjiptit. Pasi që 9 vjet në mënyrë të mrekullueshme i udhëhoqi vendet e Egjiptit, në vitin 1280/1863 vdiq. Ishte njohës i mirë i gjuhëve evropiane. Kishte një edukatë të lartë. Pati sukses në shumë reforma dhe në zhvillimin e Egjiptit. Kontribuoi shumë në hapjen e Kanalit të Suezit. Në hyrje të Kanalit që gjendet në anën e Detit të Bardhë themeloi kasabanë që, sipas emrit të tij personal, quhet Port Seid .

SEXHVEDI 

Është nga poetët e Perandorisë Osmane të kohës së Sulltan Selim Hanit. Ishte nga Tetova (turq. Kallkandelen). Me përkrahjen e Piri Pashës ishte bërë sekretar i Oborrit të Sulltanit. Ja një pjesë nga poezitë e tij:Mos mendo se vaji i bilbilit, oj fytyrbukur do të më kuptojë muaNë kopshtin e dashurisë sate ky vaj dhe kjo klithmë do të më kuptojë muaNë largimin tënd gjithnjë bëhem trim, oj perri (bukuroshe)Ky sy le të ketë shumë lotë, lotët e shumtë do të më kuptojnë mua .

SINANI (Kadi)

Është nga poetët e periudhës osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Ishte manastirli (nga Manastiri). Shërbeu si kadi në Rumeli. Ka shkruar një poemë me titull “Jusufi dhe Zylejhaja” .

SINAN PASHA 

Është nga vezirët i cili në kohën e Sulltan Murat Hanit III dhe të Sulltan Mehmet Hanit III pesë herë kaloi në postin e kryeministrit (sadriazem). Është me origjinë shqiptare . Në kohën e Sulltan Sulejman Hanit doli nga oborri i sulltanit me gradën çashnegir. Më vonë u emërua sanxhak-be në Malata, Kostamuni, Gaza dhe në Tripoli, e pastaj vali në ejaletin e Erzurumit dhe të Halepit, kurse më 977/1569 në ejaletin e Egjiptit. E pushtoi Jemenin të cilin e futi nën perandorinë Osmane. Kur u kthye me këto rezultate të mëdha, u quajt gazi (pushtues, hero). Më 982/1574 në Detin e Bardhë u bë sipehsallar dhe i sulmoi Kalabrinë dhe Mesinen, pastaj e pushtoi kalanë Hallk al-Vadi, d.m.th. kalanë Golta. Më 988/1580 shkoi në Lindje me gradën ushtake serdar. Pas vdekjes së Ahmed Pashës , sado që u dërgua sadriazem në vend të tij, këtë herë meqë nuk pati sukses, më 990/1582 u degradua, por punoi si nëpunës në Malkara. Më 994/1585 u emërua vali i Shamit, kurse më 997/1588 pas largimit të Sijavush Pashës, për të dytën herë emërohet kryeministër (sadriazem). Mirëpo, pasi veproi në mënyrë të ashpër dy vjet, pra, më 999/1590 përjashtohet dhe dëbohet për Malkara. Për shkak të ngjarjeve që ndodhën më 1001/1592 ai përsëri, pra, për të tretën herë ftohet për sadriazem. Këtë herë i turret Hungarisë; e pushtoi dhe e nënshtroi Poletin. Gjatë këtij viti dimrin e kaloi në Beograd. Më 1002/1593 e pushtoi edhe kalanë e Janikut. Më 1003/1594, kur në fron vjen Sulltan Mehmed Hani III, SInan Pasha përsëri përjashtohet dhe prap shkon në Malkara, por, pas disa muajsh përsëri bëhet sadriazem në vend të Ferhad Pashës , pra, për të katërtën herë. Megjithëse ndërmori një ekspeditë ushtarake kundër Vllahisë (turq. Eflak) nuk hyri në luftë duke u frikësuar nga një lloj epidemie, prandaj u arratis. Mosuksesi dhe humbja këtu ishin shkak që Sinan Pasha, pas pesë muajsh si sadriazem të ndërrohet përsëri. Në vend të tij u emërua Lala Mehmet Pasha. Dhjetë ditë pas vdekjes së tij, Sinan Pasha përsëri, pra për herë të pestë bëhet sadriazem. Duke qenë në këtë pozitë Sinan Pasha, më 1004/1595, në moshën 90 vjeçare vdiq dhe u varros në tyrben në lagjen Sedefçeler të Stambollit. Pesë herë ka qenë sadriazem dhe pesë herë serdar, d.m.th. dhjetë herë ka qenë në pozita të larta shtetërore .

SIRRI SELIM PASHA 

Është nipi i Ali Pashë Tepelenës, pra djalë i Vali Pashës. Lindi në Janinë në vitin 1215/1800. Pas vdekjes së t’et erdhi në Stamboll. Pas një kohe të nëpunësisë si mytesarrif (mëkëmbës) dhe si vojvodë në Rumeli dhe në Anadoll, u emërua defterdar në Erzurum, e pastaj anëtar i Këshillit financiar (Mexhlis-i Muhasebe) dhe një kohë u emërua kajmekam i Ajvallëkut. Ndërkaq, në vitin 1263/1846 me gradën e vezirit u emërua në muhafezllëkun e Beogradit, ku pas një kohe të shkurtër vdiq . Kishte talent për të thurur poezi. Ja një bejt (dyvargësh) nga poezia e tij:Brengat shpirtërore janë dhuratë e mërzisë dhe fatkeqësisëEdhe krahërori është suvenir i mërzisë dhe fatkeqësisë .

SKENDERBEU Emri origjinal i tij është Xhorxh ose Gjergj Kastrioti. Është i biri i Jan (Gjon – M.P.) Kastriotit i cili, në kohën e pushtimeve osmane në Rumeli, ishte princ në krahinën e Krujës, d.m.th. të Akça Hisarit në Shqipëri. Ka lindur më 1404, e sipas një varianti tjetër më 1414 pas erës së re. Kur Sulltan Murati II e kishte drejtuar forcën ushtarake kah Arnautllëku, babai i këtij, biografia e të cilit po shkruhet këtu, sado që i ishte nënshtruar atij, padishahu i sipërpërmendur, për të siguruar këtë nënshtrim, i pat marrë peng katër djemtë e Gjon Kastriotit dhe i pat dërguar në Edrene. Skënderbeu ishte më i vogli. Meqë ishte jashtëzakonisht i zgjuar dhe i guximshëm fitoi simpatinë dhe dashurinë e padishahut i cili e quajti Skënder në gjasim me Lekën e Madh i cili i takonte të njëjtës racë me të. Qe edukuar bashkë me princin Sulltan Mehmet Hanin II. Kur u rrit u emërua sanxhak-be në Serbi,  në Sham dhe në shumë vende të tjera dhe si i tillë shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane. Në luftërat që ndodhën pat treguar trimëri, guxim dhe shkathtësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte aq i fortë dhe trim saqë kur dilte në dyluftim në praninë e padishahut të tij kundër shumë pehlivanëve që vinin nga vende të ndryshme për të provuar forcën dhe fuqinë e tyre, asnjëherë nuk humbte. Kur i vdiq babai, territori në krye të të cilit ishte ai, iu aneksua shtetit Osman ashtu që në Akça Hisar (Krujë) u dërgua një muhafiz, ndërkaq, Skënderbeu në atë kohë gjendej në ekspeditën ushtarake në Sham. Kur u kthye u njoftua se i kishin vdekur tre vëllezërit. Skënderbeu parashikonte që pas vdekjes së të atit, njëri nga vëllezërit e tij ose ai vetë të emërohej si princ i krahinës së trashëguar. Mosarritja e këtij qëllimi, në njërën anë, dhe vdekja e vëllezërve, nga ana tjetër, e hidhëroi, prandaj kërkonte rastin e volitshëm për të ikur. Kështu, kur më 1443 pas erës së re qe dërguar ushtria në luftën e Moravës, ky, me një numër të vogël shqiptarësh që ishin me të, iku. Pasi që e mashtroi muhafizin e Akça Hisarit (Krujës) dhe pasi e riktheu pronën e të atit, i thirri princat dhe krerët e tjerë të Arnautllëkut për besëlidhje dhe bashkim, të cilët e njohën atë për kryekomandant të tërë Arnautllëkut. Në saje të aftësive dhe shkathtësive të veta si dhe me ndihmën e pozitës strategjike të vendit, ai mundi t’i bëjë ballë për një kohë të gjatë ushtrisë së dërguar nga ana e shtetit Osman. Mbretërit e krishterë të Evropës, e sidomos Papa dhe mbreti i Hungarisë, duke konsideruar se Skënderbeu do të jetë një digë hekuri kundër Perandorisë Osmane, vazhdimisht e nxitnin atë. Sado që ata kishin bërë marrëveshje me të, nuk kishin guxim të aktivizoheshin kundër fuqisë Osmane dhe, pasi që e futën në zjarr Skënderbeun, bënin sehir (vështronin) nga larg. Sidoqoftë, Skënderbeu, me ndihmën e pozitës natyrore të vendit dhe në saje të një përgatitje të tij të posaçme luftarake, d.m.th. duke i zënë grykat, duke iu larguar luftës frontale, ka mundur t’i përballojë ushtrisë së madhe të drejtuar nga vetë Sulltan Murati II. Megjithëkëtë, si ushtria, si vendi i tij pësuan shumë. Sidomos u dëshpërua kur nipi i tij Hamzai dhe shoku i tij më trim, Mojsiu, i lëshuan radhët e tij dhe iu bashkuan ushtrisë osmane për të luftuar kundër tij. Mirëpo më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë. Sulltan Mehmet Hani II, poashtu, shumë herë pat dërguar ushtri kundër Skënderbeut dhe, më në fund Skënderbeu u detyrua të lidhë marrëveshje për paqje. Kjo marrëveshje u lidh më 1461. Skënderbeu gjatë kësaj kohe kaloi në Itali për t’i ndihmuar Ferdinandit I, mbretit të Napolit e të Siqelisë kundër sulmeve të mbretit të Francës Sharlit VII. Për fitoren që e arriti me këtë ndihmë, Ferdinandi, si shpërblim ia dha Skënderbeut titullin Duka i Shën Pjetrit. Kur u kthye nga kjo ekspeditë në vitin 1463, me nxitjen dhe imponimin e Papa Piut II, ai (Skënderbeu – M.P.) e prishi marrëveshjen dhe përsëri ia filloi luftës kundër Perandorisë Osmane. Këtë herë Sulltan Mehmeti II dërgoi një ushtri të madhe dhe, duke kuptuar Skënderbeu se nuk do të mund t’i bëjë ballë, edhe meqë u sëmur, për të kërkuar ndihmë nga venedikasit shkoi në kasabanë e Lezhës, ku më 1467 vdiq. Ndonëse u varros në Lezhë, meqë ishte përhapur fjala se eshtrat e tij të ruajnë nga të goditurit e armëve, u nxorrën copat e tyre dhe u varën në teshat e luftëtarëve. Ai pas vetes la një djalë në moshë të re, i cili bashkë me disa krerë iku për në Venedik dhe ende nuk dihet se ç’u bë me të. Menjëherë pas vdekjes së Skenderbeut u dorëzua Kruja dhe u pushtua i tërë Arnautllëku, duke rënë nën qeverisjen e drejtpërdrejtë të Perandorisë Osmane. Historia e Skënderbeut është shkruar në gjuhën latine nga bashkëkohaniku dhe ithtari i tij i quajtur Barleti .

SUN’ULLAH EFENDIU (Xhafer efendi-zade)Është nga ulematë i cili katër herë mori gradën shejhulislam, në kohën e Sulltan Mhmed Hanit III dhe Sulltan Ahmed Hanit I.Është djalë i Xhafer efendiut nga Shkupi i cili në kohën e Sulltan Sulejmanit Ligjëdhënësit ishte në pozita të larta shtetërore. Lindi në vitin 960/1552. Edhe pas kryerjes së shkollimit një kohë vazhdoi të mësojë edhe te Ebu s-Se’ud efendiu, kështuqë në pikëpamje arsimore islame dhe shkencore u ngrit mjaft shumë. Kështu, më 998/1589 u bë kadi në Brusë; më 999/1590 në Edrene; më 1000/1591 në Stamboll dhe po këtë vit edhe në Anadoll, ndërkaq, më 1001/1592 u bë kadiasker i Rumelisë. Më 1008/1599 u zgjodh shejhulislam në vend të Hoxha Sadudin Efendiut. Pasi e udhëhoqi seksionin e fetfasë 22 muaj e dhjetë ditë, u largua. Më 1011/1602 sado që për të dytën herë u bë shejhulislam, meqë nuk mundi t’ia dalë me Jemishxhi Hasan Pashën  i cili ishte sadriazem, pas 34 ditësh në këtë detyrë, kërkoi të lirohet. Pas ardhjes në fron të Sulltan Ahmed Hanit I, më 1013/1604 për herë të tretë bëhet shejhulislam. Edhe këtë herë, pasi e udhëhoqi seksionin e fetfasë 2 vjet e 3 muaj e 10 ditë, më 1015/1606 me intervenimin dhe përpjekjet e vazhdueshme të kryeministrit (sadriazemit) Dervish Pashës, u largua dhe në vend të tij u caktua Ebu 1-Mejamin Mustafa efendiu. Mirëpo, pas katër muajsh u kthye përsëri dhe për të katërtën herë bëhet shejhulislam. Pasi qëndroi në këtë detyrë 1 vjet e 7 muaj e 1 javë, u largua nga detyra. Më 1020/1611 shkoi në haxhillëkun e nderuar, kurse më 1021/1612 vdiq. Ka lënë pas vetes disa vështrime, vërejtje dhe sqarime të tefsirit dhe të disa librave mësimore dhe disa hajrate .

SUZI Është nga poetët e periudhës Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit. Ishte nga Prizreni . Një kohë shërbeu si kadi, pastaj hyri në shërbim të Mihalogllut. Shkroi një poemë për pushtimet e Mihalogllit .

SHEM’I Nga poetët e vjetër të Perandorisë Osmane janë dy personalitete me këtë pseudonim:I pari nga këta është prizrenas (prizrenli). Ishte mbrojtës, studiues dhe dashamir i madh i mutesavvufit (misticizmit), njëherit ishte poet i madh dhe njeri i pjekur. Një kohë vazhdoi të shërbejë te teqja e Shejh Vefa efendiut. Një natë i thirri shokët e vet duke u thënë se ka organizuar një tubim përkujtimor. Gjatë ziqrit dhe mukabeles u tërhoq në një skaj të teqes. Ndonëse mendoi të flejë, shpirtin ia bëri teslim Xhananit (epitet për All-llahun xh.sh. – M.P.). Poezitë e tij janë plot dashuri dhe fjalë të bukura. Mjafton të sjellim dy bejtet e para të një gazeli të njohur të tij:Ai trupi im i argjendtë të turprohej të më mundojë muaTa mbërrij e ta lus që qefinin ta var në qafën timeNëse bëhet këmishë xhenneti do ta heqi dhe ta grisiSe në momentin e bashkimit këmisha ime do të më pengojë mua .

TALIB FAIK EFENDIU Është nga ulematë  e periudhës së vonshme të Perandorsië Osmane. Shkollimin e kreu në Manastir dhe u bë shumë i famshëm. U bë ekspert i shkencave të fikhut, filozofisë islame dhe hadithit. Lindi në katundin Kanalli, tri orë larg Manastirit. Ky katund është i njohur me atë se qysh herët ka dhënë dijetarë të mëdhenj. Pasi vazhdoi të mësojë rregullisht te Mehmed efendiu i katundit të përmendur po në Manastir, mori dituri edhe nga Sulejman Farisi efendiu i cili ishte myfti në Manastir. Edhe ai vetë ishte i angazhuar t’i mësojë dhe t’i arsimojë ata që ishin më të vlefshëm dhe më të zgjuar. Për shkak të zgjuarsisë së tij të jashtëzakonshme dhe të specializimit letrar dhe shkencor të tij, u bë i njohur në vilajetin e Manastirit dhe në rrethinën e tij. Ishte shumë i informuar dhe solid në njohuritë e veta, i matur në punë dhe në sjellje dhe korrekt në çështjet profesionale dhe morale. Nga thëniet më të njohura të tij po shkëpusim këtë: “Të ushtruarit e trupit është veprim (lëvizje); zemra dhe shpirti mendojnë dhe kontrollojnë. Të dyja këto kur veprojnë në mënyrë të harmonishme, tregojnë vlerat dhe njoftimet e çmueshme krijuese të All-llahut xh.sh. Vdiq në vitin 1286/1869.Është babai i Fehmi efendiut , bashqatip i Divan-i Muhasebat-it (Komisioni i Kontrollit shtetëror) dhe letrar i njohur i shekullit tonë  (lexo: në kohën e Sami Frashërit – M.P.)

TARHONXHI AHMED PASHA Edhe ky është nga sadriazemët (kryeministrat) e kohës së Sulltan Mehmedit IV. Është nga nahija e Matit të Shqipërisë. Kur erdhi në Stamboll, hyri në oborrin mbretëror. Kur Musa aga u caktua silahdar në ejaletin e Egjiptit, edhe ky, biografia e të cilit po shkruhet këtu, doli spahi. Pastaj, qe emëruar kethuda (lexo: ket-huda) te Musa aga, kurse më 1058/1648 te veziri i madh Hezar Pare Ahmed Pasha . Kur u dënua me vdekje Hezar Pare Ahmed Pasha, edhe ky u kërkua, mirëpo shpëtoi në saje të ndërmjetësimit të shejh-ul-islamit, Abdurrahim efendiut. Sado që u caktua vali në Dijarbekir, duke shty afatin e shkruarjes në atë anë, pati sukses ta ndërrojë nga vendi i punës valiun e Egjiptit. Pasi qeverisi një kohë në Egjipt, pas largimit nga puna, u burgos nga ana e Abdurrahman Pashës. Edhe kur erdhi në Stamboll u nënçmua shumë nga sadriazemi kurd Mehmed Pasha. U dëbua për në sanxhakun e Selanikut dhe, më 1062/1651, u tërhoq në Stamboll dhe u gradua me gradën kryeministër (sadriazem) . Ka qenë vezir i mençur dhe i aftë i cili patë ndërmarrë disa hapa në përmirësimin e gjendjes ekonomike. Për këto arsye, dhe për interesa të tyre personale disa njerëz qëllimkëqij, ia përgatitetën kurthin dhe më 1063/1652 e arrestuan dhe e vranë. Si kryeministër (sadriazem) shërbeu 9 muaj e gjysmë .

TEUTA Ishte mbretëresha e shtetit të lashtë të Ilirisë, kryeqytet i të cilit ishte Shkodra. Ishte bashkëshortja e Agronit. Pas vdekjes së tij, në vitin 231 para erës së re, e vazhdoi pushtetin. Meqë në vitin 230 i vrau përfaqësuesit e dërguar romakë, Joniosin dhe Koronkoniosin, hyri në luftë me romakët. Pas një lufte të gjatë pësoi humbje nga Paltonnios Albinosi dhe Folios Çentomalosi, prandaj u detyrua t’i paguajë Romës tatim (xhizje) .

VALIHI Me këtë pseudonim janë tre poetë të periudhës së Perandorisë Osmane të shekullit të dhjetë sipas hixhretit:I dyti nga këta ishte nga Shkupi. Një kohë shërbeu si muderriz në Edrene, e pastaj edhe si kadi i bektashizmit. Ja një bejt nga ky me një përkthim të lirë në gjuhën shqipe:Të keshë dashuri përveç dashurisë së Zotit është e tepërttërheqshmëria dhe dashuri ime vazhdon, All-llahu është dëshmitar .

VASIF Me këtë pseudonim janë të njohur katër poetë:I dyti nga këta (Enduruni Osman beu) është i biri i shqiptarit Halil Pasha. Pasi i plotësoi kushtet e pensionimit, u pensionua dhe në vitin 1240/1824 vdiq .

 

Tags