Aziatikët dhe afrikanët mund të punojnë në Shqipëri
Marrja e vizës për të gjithë ata persona të cilët duan të shkojnë në Shqipëri jo vetëm si turistë, por edhe për të punuar do të jetë më e lehtë. Kjo pasi qeveria ka miratuar një projektligj, i cili u votua të mërkurën në seancën plenare.
Ky ligj mundëson marrjen e vizës në 30 ditë nga 60 që është tani. Argumenti për lehtësimet është se në Shqipëri mungon fuqia punëtore për të përballuar rindërtimin pas tërmetit të nëntorit. Por edhe mungesa e punëtorëve në sektorë të tjerë të ekonomisë. “Ky propozim vjen pasi, bazuar në një analizë paraprake të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 dhe fuqisë punëtore në vend, konsiderohet se ka pamjaftueshmëri të fuqisë punëtore për të mundësuar rimëkëmbjen nga fatkeqësia natyrore brenda një periudhe kohore të arsyeshme”, thuhet në relacionin shoqërues. Këtë shqetësim kryeministrit Rama ia shprehu nga Durrësi edhe Kryebashkiaku i komanduar Zhyljen Varfaj. “Në atë që kemi diskutuar është se fuqia punëtore është goxha problem”, tha Varfaj. Por sipas deputetit të opozitës parlamentare Ralf Gjoni, ajo që thuhet në relacion është e pa vërtetë sepse projektligji nisi të hartohej përpara tërmetit. Ata që përfitojnë më shumë nga ky ligj, janë shtetasit e vendeve aziatike, afrikane dhe vendeve të Amerikës së Jugut, procedura për të cilët do të lehtësohet ndjeshëm.