Haradinaj del me një propozim të ri për dialogun me Serbinë
Ish-kryeministri i Kosovës ka sugjeruar mbajtjen e një konference në Kosovë, që do të mblidhte liderët partiakë e përfaqësuesit ndërkombëtarë për dialogun.
Sipas tij, kjo konferencë do ta lehtësojë procesin e njohjes reciproke dhe krijimin e një qëndrimi unik. “Propozoj thirrjen e konferencës së Kosovës, në Kosovë. Konferenca e Kosovës në Kosovë, 2 ditore e përbërë nga kryetarët e partive politike, po ku do t’i ftonim edhe udhëheqësit e dialogut, Amerika dhe lehtësuesit e dialogut që është BE. Kjo konferencë do të mundësonte një qëndrim unik me të cilin do t'ia kishim lehtësuar Amerikës arritjen marrëveshjes për njohje reciproke”, tha Haradinaj. Por, Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ka thënë se Kosova ka institucione legjitime të dala nga zgjedhjet demokratike të 6 tetorit, të cilat sipas tij, bartin përgjegjësitë kushtetuese, përfshirë edhe dialogun me vendin fqinj Serbinë. “Nuk ka nevojë për asnjë konferencë për këtë qëllim, të brendshme as të jashtme. Duhet vetëm ushtrim i përgjegjësive kushtetuese nga secili. Kryeministri duhet të marrë përsipër dialogun ashtu siç e definon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti duhet të qëndrojë brenda kompetencave të veta kushtetuese”, ka shkruar Hoti në Facebook.