Vetëizolohet Kurti, shtohen shqetësimet për rikthimin e virusit Korona në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti prej sot është në vetëizolim pasi një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Ndërsa që edhe vet Kurti ka pasur kontakt me zyrtarin e MIE.
Përmes një statusi në Facebook, Kurti tha se tashmë janë marrë mostrat dhe po presin rezultatet.
“Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetëizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkroi Kurti.
Shefi i ekzekutivit deklaroi se do t'i kryejnë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë si dhe do t'i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.
Pas dy javëve ku pati rënie të numrit të rasteve me COVID-19 , mbrëmë në Kosovë u konfirmuan 14 raste të reja, ndërsa u shëruan vetëm dy të infektuar.
E rritja e këtij numri, ngriti dyshimet se mund të ketë një valë të dytë të virusit në vendin tonë.
Infektologu Izet Sadiku për Telegrafin ka thënë se rritja e rasteve në dy ditët e fundit, tregon se ende nuk është fituar lufta me pandeminë COVID-19.
Sadiku thotë se është e domosdoshme që të vazhdohet me respektimin e masave të propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Ai ka theksuar se në rast se nuk respektohen këto masa, ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtatorë.
“Nëse nuk respektohen masat e propozuara për ruajtjen e distancës dhe përdorimi i maskës dhe nëse kemi grumbullime të njerëzve ekziston rreziku për rritjen e numrit të rasteve të reja që do të ndikonte që masat e lirimit të propozuara nga MSH të bëhen të diskutueshme për fazat tjera. Ju e dini se të gjitha hulumtimet tashmë kanë paralajmëruar se ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtator , dhe deri sa të zbulohet një vaksinë efikase jemi të detyruar të jetojmë me virusin duke respektuar dhe zbatuar maksimalisht masat e propozuara nga IKSHP-ja”, ka thënë Sadiku.
Infektologu u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duke mbajtur distancën dhe duke përdorur maskat, duke mos dalë pa nevojë dhe duke mos u grumbulluar në takime familjare ose të punës.
“Duhet kuptuar se bota do të jetë ndryshe pas COVID-19!”, tha Sadiku.
Deri më tani numri i personave të prekur me COVID-19 ka arritur në 884, të shëruar janë 655, ndërkaq 28 persona kanë humbur jetën.