Serbia dëshiron që dialogu të kryesohet nga BE
https://parstoday.ir/sq/news/balkans-i98025-serbia_dëshiron_që_dialogu_të_kryesohet_nga_be
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar sot një takim kokë më kokë në Beograd, ku kanë konfirmuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Qershor 22, 2020 18:43 Europe/Tirane
  • Serbia dëshiron që dialogu të kryesohet nga BE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar sot një takim kokë më kokë në Beograd, ku kanë konfirmuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Pas takimit kokë më kokë, siç rapoton ‘Blic.rs’, presidenti serb ka thënë se me emisarin e BE-së, kishte një takim të mirë përgatitor. “Faleminderit Lajçakut për vizitën. Kishim një takim shumë të mirë përgatitor. Serbia plotësisht e përkrah dialogun, i cili duhet të zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së. Pres që dialogu të vazhdojë në një afat sa më të shkurtër, ka mundësi qysh në korrik. I respektoj përpjekjet e Richard Grenellit për bashkëpunimin mes Prishtinës dhe Beogradit, por për neve nuk ka asnjë dilemë dhe jemi të përkushtuar për dialog nën përkujdesjen e Bashkimit Evropian”, ka thënë Vuçiq, përcjell Telegrafi. “Ne e kuptojmë se Lajçak, me autoritetin, dijen dhe përkushtimin e tij, mund të garantojë objektivitetin dhe paanshmërinë në atë proces. Ne nuk mund të bisedojmë nëse e vetmja kërkesë është që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq dhe shtoi se Lajçak vendos për datën për vazhdimin e dialogut. Vuçiq nuk e përjashtoi mundësinë që të shkojë në Bruksel midis vizitave në Moskë dhe Uashington, sepse, siç theksoi ai, kjo është e rëndësishme për shkak të së ardhmes evropiane të Serbisë.