Stoltenberg: të mos lejojmë përsëritjen e masakrës së Srebrenicës
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës theksoi se nuk duhet lejuar përsëritja e këtij krimi.
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se masakra e Srebrenicës ndodhi në zemër të Evropës. Kanë kaluar 25 vjet nga ajo ditë dhe ne të gjithë jemi përgjegjës dhe të bëjmë kujdes që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë. 25 vjet më parë, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjë-Hercegovinës në Srebrenicë. Kujtimi i tyre është nderuar nga grupe të afërmish dhe zyrtarë lokalë e ndërkombëtarë. Ishte data 11 korrik 1995, ora 4:15 e mëngjesit, kur forcat ushtarake serbo-boshnjake do të nënshtronin rreth 45 mijë banorët e një baze në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës. Në zonën e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, 30 mijë gra dhe fëmijë u dëbuan brenda dy ditëve, me mijëra gra e vajza boshnjake të rëna pre e përdhunimeve. Nga 15 mijë meshkuj të besimit mysliman që tentuan të largohen me këmbë mes pyjeve për t’i shpëtuar ushtarëve, vetëm 3 mijë prej tyre arritën t’i mbijetojnë kurthit të ngritur, ndërsa 8 mijë të tjerë vijojnë edhe sot të gjenden mes varreve masive të gërmuara kudo në vend. 25-vjetori i ngjarjes u kujtua të shtunën me një seri aktivitetesh, megjithëse të kufizuara në pjesëmarrje në kushtet aktuale të pandemisë. Pas një çerekshekulli, eshtrat e 9 viktimave të zbuluara këtë vit u lanë të prehen në Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës, më i riu vetëm 23 vjeç dhe më i moshuari, 70 vjeç. Ata u vranë edhe pse të paarmatosur nën urdhrat e komandantit Ratko Mladiç, me mbështetjen e ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviç dhe homologut serboboshnjak, Radovan Karaxhiç.